Humb jetën aksidentalisht këshilltari rom
Komuniteti rom në qytetin e Elbasanit humb përfaqësuesin e tij në këshillin bashkiak të këtij qyteti. Aksidentalisht, këshilltari rom, Esad Sula, u nda nga jeta dje në darkë, pas një aksidenti automobilistik. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë rreth orës 16:00 në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, te vendi i quajtur "Tunelet e Mirakës", në kufirin ndarës mes dy rretheve, Librazhd e Elbasan. Sula biznesmen ishte duke ardhur drejt qytetit të tij nga Korça, ku ndodhej për arsye pune, ndërsa makina me të cilën udhëtonte përplaset me një tjetër automjet që udhëtonte drejt Librazhdit. Për rastin në fjalë, policia nuk do të konfirmonte të plagosur, pasi dy personat kanë rezultuar të plagosur lehtë. Kanë qenë familja dhe rrethi shoqëror i Sulës, të cilët kanë ngulmuar që i plagosuri të nisej drejt një spitali në Stamboll, me merakun dhe besimin se atje do të kurohej më lehtë dhe më mirë. Ndërkohë burime të afërta me familjen konfirmojnë se vdekja e tij ndodhi pikërisht një natë më parë, në spitalin turk, ku dhe ishte shtruar.