E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Mbrojtjes: Eliminimi i municioneve, problem shtetëror

Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka dhënë dje alarmin se në territorin e Shqipërisë ka mbi 100 mijë tonë sasi municionesh dhe eksplozivi. Ministri Mediu ka deklaruar se të gjitha organet kompetente ndodhen në vendin e ngjarjes për të parandaluar situatën. Alarmi për sasinë e tepërt të municionit është dhënë nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili prej kohësh ka kërkuar realizimin e një plani kombëtar për shkatërrimin e tyre.

"Nga një analizë që ne kemi bërë me përfaqësues amerikanë, por edhe nga një vëzhgim që ka bërë Komisioni i Sigurisë, për sa i përket situatës së municionit, të armatimit në Shqipëri, ajo nuk është e këndshme, apo e kënaqshme. Për faktin sepse janë rreth 100 mijë tonë municion tepër, të shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe forcat e armatosura nuk janë më të organizuara në konceptin territorial, për të garantuar sistemimin, mirëmbajtjen, ruajtjen e sigurinë e tyre", bëri me dije ministri i Mbrojtjes. Mediu e ka cilësuar si një problem shumë të madh këtë çështje, duke u shprehur se "në tendencën tonë për të arritur një forcë profesioniste mbi 50% e ushtarëve që janë me shërbim të detyruar i përdorim për të ruajtur këto depo armatim-municioni. Por është një rrezik shumë i madh dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë, sepse shumë qytetarë për fatin e keq kanë ndërtuar shtëpitë e tyre mbi tunele të depove të municioneve". Sipas tij, Shqipëria ka pasur dhe ka projekte në mënyrë të vazhdueshme, me departamentin e shtetit, të departamentit të mbrojtjes, ka pasur asistencë nga Norvegjia, nga Kanadaja. "Janë investuar miliona dollarë për shkatërrimin e armëve të lehta dhe municioneve. Nuk është vetëm një problem i Ministrisë së Mbrojtjes, por është një problem shtetëror që duhet zgjidhur në mënyrë urgjente. Me 100 mijë tonë municion, me një kosto rreth 50 milionë euro për shkatërrimin e këtij municioni. Por njëkohësisht mos të harrojmë edhe transportimin dhe zonat ku ato ndodhen, pra janë një seri problemesh. Ne para një jave në Shtabin e Përgjithshëm, me asistencën e amerikanëve, kemi diskutuar rreth kësaj çështjeje", tha Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›