E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murati: Shqipëria ta harrojë Euro 2012

 Jetmir Halilaj Më shtatë shkurt hidhet shorti i grupeve për Evropianin Euro 2012, që do të zhvillohet në Poloni dhe në Ukrainë. Shqipëria ndodhet në vazon e pestë dhe shpreson që eliminatoret e këtij kompeticioni të jenë ndryshe nga ato të edicionit të kaluar, kur arritëm të grumbullonim vetëm shtatë pikë. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Edvin Murati është dyshues për rezultatet që mund të arrijë kombëtarja, pavarësisht se nuk fajëson askënd për gjendjen aktuale të përfaqësueses. Sipas “Lushës”, Shqipërisë i mungon brezi i lojtarëve të katër apo pesë viteve më parë, ndaj trajneri Kuzhe dhe lojtarët sipas tij nuk duhet të jenë në presion në eliminatoret e ardhshme. “Do jetë një edicion transit, ndaj nuk duhet ushtruar shumë presion mbi skuadrën dhe stafin”, ka deklaruar Murati në një intervistë për “Panorama Sport”. Ish-mesfushori i majtë, i cili aktualisht ndodhet në Francë me familjen e tij, shpreson që Shqipëria këtë herë të ketë në grup Francën. Edvin, a e keni ndjekur Kombëtaren në ndeshjet e fundit?Po, thuajse të gjitha ndeshjet. Sa larg mund të shkojë përfaqësuesja jonë në eliminatoret e ardhshme?Dua të ndalem pak gjatë në këtë pikë. Së pari, gjithçka varet nga grupi që do të kemi. Nëse na bien skuadra të forta, sigurisht që nuk mund të pretendohet shumë. Megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë, të cilët do të ndikojnë në rendimentin e kombëtares. Ndaj, unë mendoj që të mos ketë shumë presion dhe të mos ëndërrojmë shumë. Pse jeni kaq pesimist?Nuk është çështje pesimizmi. Thjesht duhet të jemi realist. Ne nuk mund të pretendojmë kurrsesi që këtë edicion të luftojmë për t’u kualifikuar. Do të ishte anormale. Pse?Për faktin e thjeshtë se Shqipëria nuk ka një kombëtare të konsoliduar. Pjesa dërrmuese e futbollistëve janë të rinj, pra të ardhur muajt e fundit. Pjesa tjetër nuk luajnë rregullisht dhe për më tepër një pjesë e madhe e lojtarëve nuk kanë eksperiencë ndërkombëtare. Skela, Bogdani, Cana, Duro nuk mund të quhen pa eksperiencë ndërkombëtare, apo jo?Dakord, por mos prisni që ata të bëjnë mrekulli. Kur them se disa prej futbollistëve u mungon eksperienca ndërkombëtare, thjesht bëj një krahasim me brezin e katër apo pesë viteve më parë. Atëherë pjesa dërrmuese e lojtarëve të ekipit kombëtar luanin në skuadra të huaja, madje ata luanin rregullisht edhe në Kupat e Evropës. Tani kemi probleme në këtë drejtim. Një pjesë e mirë e futbollistëve, ata që duhet të mbajnë peshën kryesore nuk luajnë në ekipet e tyre, të tjerët edhe nëse aktivizohen, nuk arrijnë të jenë protagonistë në skuadrat respektive dhe kjo në aspektin psikologjik ka një ndikim të madh. Përveç kësaj ka edhe probleme të tjera.Të cilat janë?Nuk kemi një ekip të konsoliduar. Në gjendjen në të cilën ndodhemi askush nuk mund të thotë tani, madje as vetë Kuzhe se cili është 11-tëshi bazë i skuadrës Kombëtare. Kjo është e natyrshme, sepse shumë lojtarë kanë ikur dhe shumë të tjerë kanë ardhur. Por, që ata të kenë rezultate, duhet të luajnë minimalisht dy edicione së bashku për të krijuar një fizionomi dhe për t’u marrë vesh mirë me njëri-tjetrin. Për këtë arsye them se misioni i kombëtares edicionin e ardhshëm duhet të jetë ai i të ndërtuarit një grup solid. Lojtarët dhe stafi nuk duhet të kenë presion që të fitojnë çdo ndeshje, sepse duhet të jemi realistë, një skuadër si Shqipëria e ka të pamundur ta bëjë një gjë të tillë dhe aq më pak në gjendjen në të cilën ndodhet. E përsëritni shpesh “në gjendjen në të cilën ndodhemi”, ka keq është skuadra jonë?Nuk është keq, është thjesht një skuadër e re. Kemi probleme në disa reparte dhe nuk e dimë se cilët janë lojtarët që përbëjnë alternativën. Unë mendoj se Kuzhe do jetë i detyruar të punojë për të ndërtuar një grup, se sa për të arritur rezultate. Kjo do të ishte lëvizja më logjike që duhej të bënte trajneri Kuzhe. Renditja e FIFA-s, Shqipëria humb një vendShqipëria e futbollit mori një mesazh negativ  në renditjen mujore të FIFA-s (shkurt 2010), duke u pozicionuar në vendin e 97-të (336 pikë), një pozicion më të ulët se janari i vitit 2010 (vendi i 96-të). Në fakt, Kombëtarja nuk luajti asnjë ndeshje gjatë muajit janar, dhe zbritja e saj me një vend është më shumë si kalkulim e rezultateve dhe takimeve të vendeve të tjera, kryesisht ato afrikane, të cilat morën pjesë në Kupën e Afrikës.  Duke bërë një krahasim të shpejtë me të njëjtën periudhë, shkurtin e vitit 2009, kur renditeshim në vendin e 79-të, renditja e shkurtit 2010 (vendi i 97-të) tregon edhe regresin që ka pësuar Kombëtarja A (e drejtuar vitin e kaluar nga holandezi Ari Han dhe kroati Josip Kuzhe).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›