E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim eksplozivi në mal, gurët bllokojnë 7 fshatra

 KURBIN/ ROLAND NIKOLLINjë shpërthim i fuqishëm eksplozivi ka shembur një pjesë të malit, duke lënë të izoluar shtatë fshatra në Kurbin. Persona ende të paidentifikuar e kanë vënë sasinë e lëndës plasëse në orët e vona të së martës, duke provokuar rënien e gurëve përgjatë rrugës që lidh malësinë e Kurbinit me Milotin. Banorët e shtatë fshatrave kishin punuar për ditë me radhë për ta hapur këtë aks rural, pasi ajo u bllokua për shkak të reshjeve të shumta në ditët e fundit të dhjetorit dhe fillimin e janarit. Sasi të konsiderueshme dherash e gurësh u shembën duke e zënë gjithë rrugën. Për pasojë, banorët mbetën të izoluar nga qendra. Ata u detyruan të lëvizin me kafshë për t’u furnizuar në qytet, ashtu si dhe në rastin e të sëmurëve ose detyroheshin t’i transportonin me barelë. Të gjendur në këtë situatë, banorët e shtatë fshatrave të bllokuara, Vinjollë, Gërnatë, Gallatë, Malbardhë, Skuraj, Shkopet dhe Ferrshkopet u mblodhën për ta hapur aksin. Por dy net më parë, kur rruga thuajse ishte e zhbllokuar, sasia e lëndës plasëse e dëmtoi shpatin malor, duke lëshuar mbi aks tonelata me gurë e dhe. Për pasojë, mjetet e kanë pasur të pamundur për të kaluar gjatë ditës së djeshme për në pjesën tjetër. “Mbrëmë kemi dëgjuar një shpërthim të fuqishëm. Ne kishim kohë që po punonim për hapjen e rrugës, por, eksplozivi i vendosur nga persona të paidentifikuar solli bllokimin akoma e më shumë të saj. Këtu nuk vjen askush për t’u kujdesur për ne, pasi votimet kanë mbaruar. Tashmë shkojmë me mushka për të marrë ushqim për fëmijët dhe blegtorinë”, u shpreh E.Biba, një banor i zonës. Banorë të tjerë bënë të ditur se situata ka mbetur e tillë që në dhjetor të vitit të kaluar. Ata aludojnë se vendosja e lëndës plasëse është e qëllimshme për të marrë fonde. Sipas tyre, në këtë rrugë janë harxhuar miliona lekë që nga viti 1992, por rruga vijon të mbetet problematike për ta. Segmenti rrugor Milot-Malësi e Kurbinit u bllokua fillimisht më 29 dhjetor 2009. Rruga u hap për pak kohë nga ana e Drejtorisë së Rrugëve, por sërish u bllokua për shkak të rrëshqitjes së tokës. Mësohet se për këtë rrugë është dhënë një fond prej 120 milionë lekësh. Por, me to u arrit të bëhej vetëm një urë, e cila ndodhet sërish e shkatërruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›