Përmbytja, të gjitha ndërtimet pa leje do të kompensohen për dëmet
SHKODER - Banorët e dëmtuar nga përmbytjet në Shkodër, të cilët i kanë shtëpitë e tyre pa leje do të dëmshpërblehen plotësisht. Kështu u shpreh dje Besnik Kastrati, sekretari i Këshillit të qarkut Shkodër duke hedhur poshtë dyshimet se ndërtimet e kësaj kategorie do të mënjanoheshin nga ky proces. Sipas tij, një gjë e tillë është e përcaktuar qartë edhe në vendimin që Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë për dëmshpërblimin e banorëve të përmbytur nga shirat në fillimin e janarit. “Fatkeqësitë natyrore kanë dëmtuar njësoj si ata që konsiderohen të ligjshëm, ashtu edhe ata të paligjshëm, prandaj dhe shteti do t’i dëmshpërblejë ata”, u shpreh Kastrati. Grupet e vlerësimit prej 10 ditësh kanë qenë të pranishme jo vetëm në zonat informale të Bashkisë së Shkodrës, por edhe në ndërtimet pa leje, në 7 njësitë vendore të dëmtuara nga vërshimi i ujërave. Ata kanë kryer procedurat e nevojshme me qëllim për të evidentuar dëmet. Në këtë kuadër banorët e zonës së Livadheve, të bregut të liqenit apo dhe ndërtimet në lagjen “Ajasëm” apo “Bahçallëk”, edhe pse në 90 % të rasteve janë pa leje, do të përfitojnë nga verifikimi i dëmeve nga grupet e vlerësimit me qëllim zhdëmtimin e tyre nga qeveria. r.d