Bulqiza ngrin në minus 11 gradë
Sapo lë prapa fshatin Plani i Bardhë në rrethin e Matit “prek” Qafën e Buallit, ose siç është etiketuar nga banorët autoktonë “Drejtoria e parë e erërave”. është emërtuar e tillë sepse në çdo stinë të vitit, aq më tepër në dimër, këtu fryjnë erëra të forta dhe të ftohta. Pikërisht aty ku ndodhet pika më nevralgjike e rrugës nacionale Milot-Dibër drejtoria e rrugëve nacionale ka instaluar mjetet dhe fuqinë punëtore. Drejtori i rrugëve nacionale të Qarkut Dibër, Durim Balla tha se prej 5 ditësh ai dhe vartësit e tij nuk flenë në shtëpitë e tyre, por qëndrojnë në gatishmëri për të mbajtur të hapur rrugën nacionale. “Në asnjë moment rruga nacionale Skuraj-Peshkopi nuk është bllokuar totalisht. Ne kemi nxjerrë në rrugë borëpastruese, kemi hedhur kripë e skorie dhe kemi mundësuar lëvizjen e mjeteve. Ka pasur segmente ku lëvizja është kryer me zinxhirë, por në pjesën më të madhe të rrugëve traseja është hapur dhe mirëmbahet edhe nga firmat sipërmarrëse”, sqaroi për “Panoramën” Balla. Shoferë të kontaktuar thanë se ka një stepje dhe frikë të qytetarëve për të lëvizur në rrugët nacionale. Janë të paktë mjetet e transportit që dërgojnë njerëz nga Dibra e Bulqizë drejt Tiranës, nga bora që ka mbuluar rrugët. Dita e djeshme shënoi -11 gradë, temperaturat më të ulëta të këtij dimri. h.p