E Diel, 1 Nëntor 2026

U mbyt 2 javë më parë në Seman, familjarët: Shteti të gjejë trupin

 FIER - Familjarët e 30-vjeçarit të mbytur 2 javë më parë në Seman kërcënojnë se do të bllokojnë sërish autostradën Fier-Lushnjë, nëse shteti nuk kërkon djalin e tyre. Dhjetëra të afërm të të riut Erjon Korobeci, i cili humbi jetën në Seman ndërsa kishte dalë për gjueti, kanë kërkuar ndihmë nga shteti për gjetjen e trupit të pajetë. Ata kanë pohuar se policia ndihmoi në ditët e para pas mbytjes me mjetet e saj të operacionit dhe kjo pas protestës së familjarëve në bllokimin e rrugës nacionale Fier-Lushnjë në urën e Mbrostarit. Pas kërkimeve 2-ditore nga ana e policisë fierake, operacioni për gjetjen e trupit të pajetë të 30-vjeçarit, po vazhdon vetëm me aksionin privat të familjarëve dhe të të afërmve. Ata po e kërkojnë trupin e pajetë me mjete rrethanore, gjatë shtratit të lumit Seman përgjatë vijës bregdetare të këtij lumi. Familjarët kërkojnë nga shteti mjete lundruese. Babai i viktimës, Hysni Korobeci, u shpreh dje se nuk mund të gjejë prehje pa gjetur kufomën për t'i bërë nderet e fundit djalit të tij, sipas zakonit. "Në të kundërt nuk na ngelet gjë tjetër veçse të protestojmë, mundet edhe të bllokojmë sërish rrugën kombëtare. E keqja në familjen time ndodhi, por e keqja më e madhe është se nuk gjejmë dot kufomën. Kemi gati 12 ditë që endemi brigjeve të lumit Seman dhe është një përpjekje pa shpresë, pasi mundësia jonë si individë, kaq është. Ne kërkojmë nga shteti mjete të specializuara". Babai thotë se i kanë çuar një letër dhe Presidentit të Republikës, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›