E Diel, 1 Nëntor 2026

Sesioni i ri parlamentar, Topalli fton opozitën

TIRANË Në vigjilje të startit të sesionit të ri parlamentar, dhe kur opozita ka vendosur që lërë pas bojkotin, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, në një dalje të posaçme për mediat, ka ftuar deputetët e majtë që të tregojnë vullnet për të votuar ligjet e rëndësishme në funksion të procesit të integrimit të vendit në BE. “Unë jam sot këtu, për të ftuar kolegët e mi, deputetë të maxhorancës dhe të opozitës, të punojmë e të votojmë bashkë. Sinqerisht i ftoj të votojmë bashkë. Ne po hyjmë në vitin e tretë të kësaj legjislature. Ne kemi privilegjin dhe mundësinë të bëjmë hapa të tjera drejt BE-së. Integrimi i Shqipërisë në BE nuk është as majtas, as djathtas. Integrimi ne BE është objektivi ynë kombëtar. Çdo gjë që i bashkon shqiptarët, duhet të na bashkojë edhe ne me votë në parlament”, - theksoi Topalli. Duke pritur kthimin e opozitës në parlament, pas bojkotit postzgjedhor, Kryetarja e kuvendit, theksoi se pret gjithashtu që opozita të mos vazhdojë bojkotin e votimit, të cilin ajo e cilësoi si një anakronizëm të shekullit të kaluar, që nuk ka më kuptim në kohën kur Shqiperisë i duhet të bëjë përpara për Integrimin Europian. “Deputetet e mazhorancës presin që të punojnë e të votojnë së bashku me deputetët e opozitës, për reforma të rëndësishme. Cdo gjë që i bashkon shqiptarët duhet të na bashkojë edhe ne me votë në parlament. Shqipëria është europiane dhe shqiptarët duhet të jenë pjese e BE-së. Kur hoqëm vizat, mjaftuan vetëm votat e mazhorancës. Sot, për stacionet e reja drejt BE-së duhet edhe vota e opozitës. Integrimi në BE i Shqiperisë nuk eshte as majtas, as djathtas. Integrimi në BE, është objektivi ynë kombëtar dhe me këtë askush nuk mund të bëjë tregti. Koha është tani dhe është urgjente”, - tha Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›