Muri i kulturës për dëbimin e emigrantëve
Ndersa shkollat dhe universitetet italiane po bien gjithnje e me poshte ne klasifikimet evropiane te cilesise dhe ministrja Gelmini.... redukton orare leksionesh dhe numra mësimdhënësish, qeveria po vendos arsimin si kusht që duhet të përmbushin emigrantët për të siguruar lejen e qëndrimit. Jo për të hyrë në universitetet tona, të kuptohemi drejt, por për të vazhduar punën në fusha, për të punuar si kujdestarë të të moshuarve, për të shkarkuar arka me fruta në tregje, për t’u dhënë ushqim pulave e derrave në fermat e rritjes së tyre në verilindje të vendit. Punë te cilat, ne italianët që na duket vetja tashmë tepër të kultivuar, refuzojmë, në mënyrë të padenjë, t’i kryejmë. Ka kaluar koha e detyrimit shkollor, e leximit dhe tani qëndrimi në një demokraci normale është një rrugë që duhet të bëhet nëpërmjet zgjedhjes së lirë dhe kurrë për detyrim ligjor. Dhe kështu është për çdo qytetar të komunitetit. Nuk është në fakt kështu, ose të paktën rrezikon të mos jetë më, për ata që janë shtetas të huaj, nga të cilat tashmë pretendohet të bëjnë një rrugëtim të gjatë prej eruditi, pavarësisht nga mosha, niveli i arsimit dhe historitë e ëndrrat personale. Në përgjigje të trazirave në Rosarno dhe ndaj mungesës së tolerancës raciale që shpërtheu në këtë “gjueti ndaj njerëzve me ngjyrë”, që më në fund ia doli t’i largonte të gjithë, Ministria e Brendshme lajmëroi prezantimin e rregullave të reja më të ashpra për t’u dhënë në fund të dy viteve të para, rinovimin e lejes së qëndrimit. E kanë quajtur ndryshe “leje qëndrimi me pikë” njësoj si patentat: vetëm se për të huajt nuk vlen aspak vlerësimi për respektimin e rregullave, që janë përcaktuar si kritere për të vlerësuar një njeri që nget makinën, por ka rëndësi përgatitja personale. Njësoj siç ndodh me notat në dëftesën shkollore. Pas 24 muajve të parë, shpesh të kaluar mes mundimesh, duke fituar vetëm 20 euro në ditë dhe duke fjetur të lodhur në shtëpi të vogla të pista, shtetasit e huaj që jetojnë në Itali duhet të kalojnë një provim pranë Sportelit të Emigracionit. Dhe këtu, që të mos rrezikojnë dëbimin, duhet të tregojnë se kanë studiuar. Funksionarë të policisë, aspak fleksibël, mund t’i pyesin ata për parimet themelore të Kushtetutës apo për organizimin dhe funksionimin e institucioneve publike italiane. Duhet të përgjigjen për çështje që shpesh janë të panjohura jo vetëm për shumicën e italianëve të punësuar, por edhe për shumë të diplomuar si për shembull ai që në provimin për t’u bërë gazetar profesionist (pra jo për të shkuar e për të punuar në fushë) u përgjigj pa turp aspak se “themeluesit e Romës ishin Remi dhe Romuli”. Një koleg i tij në provimin e magjistraturës theksonte se “rishikimi i Kushtetutës parashikon miratimin nga të dy dhomat e parlamentit”. Nëse do të përgjigjeshin dy nigerianë për këto, ata do të dëboheshin. Për emigrantët, lëndët e provimit nuk përfundojnë këtu. Do të pyeten në fakt për funksionimin e e sistemit shëndetësor kombëtar, të shkollës dhe shërbimeve sociale, për rregullat e punës (paradoksale për atë që për atë që është i detyruar të punojë në të zezë) dhe detyrimet fiskale që janë në fuqi në Itali. Lëndë, natyrisht e njohur për ata punëdhënës që veçanërisht në bujqësi (ku punësohen më shumë emigrantët e huaj) thuhet se janë mbrojtës rigorozë. Ata që do të hyjnë në provim duhet të kenë njohuri perfekt të gjuhës italiane, meqenëse njohja e kësaj gjuhe do të jetë ndër kushtet e para për t’u respektuar. Në 24 muaj një fshatar nga Gana apo Maroku duhet pra të mësojë italisht, një pretendim paksa paradoksal për një vend si i yni ku gjuhën angleze e njohin vetëm 15 për qind e popullsisë, ndërsa vetëm 3 për qind dinë një gjuhë të tretë. Procedura e re mund të hyjë në fuqi brenda dy muajsh. Objektivi është të testohet vullneti i vërtetë i integrimit të shtetasit të huaj, thonë ideatorët e tij. Kultura bëhet me ligj një diskriminim social. Kështu, kur një shtetas i huaj të dëbohet edhe pse s’ka kryer asnjë krim, për t’u mbrojtur nga akuza e racizmit nuk do të ketë më nevojë të shpiken mijëra alibi të tjera: mjafton të shpjegohet se ishte injorant.