E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Barça, ç'po bën? Duket sikur jemi në luftë

ROME-Në "Kamp Nou" do të luhet padyshim një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni në Champions League. Barcelona e Pep Guardiolës, skuadra që konsiderohet më e mira në botë, do të presë Interin, duke synuar të përmbysë humbjen 3-1 në "San Siro". Pragndeshja është përgatitur si rrallëherë në kampin katalanas me video për të karikuar tifozët dhe me deklarata bombastike, si ajo e Pike: "Do t'i bëjmë ta urrejnë futbollin". Po ashtu, mediat kanë "pompuar" në maksimum gjithçka, me tituj bombastikë që i ngjajnë pragut të një lufte. Por, ka një plan tjetër Zhoze Murinjo, trajneri i Interit. Ndryshe nga stili i tij i zakonshëm, portugezi ka qenë diplomat dhe kritik ndaj asaj çfarë po ndodh në Barcelonë. "Kjo është një ndeshje si gjithë të tjerat, nuk i kuptoj këto deklarata dhe thirrje, Barcelona i ka të gjitha mjetet për të bërë përmbysjen, - u shpreh tekniku i Interit. - është një ndeshje futbolli dhe jo luftë", shtoi Murinjo duke shigjetuar katalanasit. Në lidhje me akuzat e bëra në mediat spanjolle se ai dhe arbitri i ndeshjes së parë Benkuerença janë ortakë në një restorant, Murinjo përgjigjet: "Nuk kam kohë për të menduar për aktivitete të tjera dhe për fat s'kam nevojë për të ardhura shtesë". Në spotet televizive dhe titujt e gazetave është shkruar për "përmbysje historike" apo për "lënie lëkure në fushë", që sipas presidentit të Interit Masimo Morati ndikojnë edhe tek arbitri De Bleker. "Nuk kam frikë nga arbitrimi, por nga lojtarët që mund të mmundohen ta ndikojnë apo ta mashtrojnë", u shpreh Murinjo për këtë. Në lidhje me Lionel Mesin, portugezi thotë: "Skuadrat e mia mbulojnë në zonë, kështu që s'do të ketë kafaz. Nëse ai është në mbrëmjen e tij, nuk mbulohet, mund të shënojë 4 gola. Gjendja e Interit? Për ne, të arrijmë në finale është një ëndërr e bukur, për ta është fiksim".
Skuadra
Lajmi i mirë në shtëpinë e Interit, në prag të ndeshjes së sotme, është ai për rikuperimin e Uesli Shnajder, që doli i dëmtuar nga ndeshja me Atalantën të shtunën. "Shnajder do të luajë nga fillimi, - deklaroi Murinjo. - Nuk e di nëse do të durojë për 90 minuta, por unë do ta hedh në mesfushë, sepse është përmirësuar shumë dhe sot (dje) në mëngjes është stërvitur me grupin". Në lidhje me formacionin, trajneri i Interit deklaroi se nuk ka ndërmend të ndryshojë shumë nga ndeshja e fituar 3-1 javën e shkuar në "San Siro". "Nuk më pëlqen të ndryshoj formacion, përveçse për ndonjë lojtar që mund të ketë bërë shumë kilometra në fundjavë. Pra, do të luajë skuadra e ndeshjes së parë", tha ai. Murinjo ndërkohë sqaroi edhe arsyet e marrjes në Spanjë të Mario Balotelit. "Baloteli është këtu për fajt të Stankoviç, që më kërkoi të vinte në Barcelonë edhe pse i skualifikuar, - shpjegoi portugezi. - Iu përgjigja: 'nëse të marr ty, që nuk mund të zbresësh në fushë, do t'i marr të gjithë'. Dhe kështu bëra. Gjë që do të thotë se Baloteli mund të jetë në tribunë në takimin e sotëm.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›