Liberalizimi i vizave, Fajon: Shpejtesia varet nga ju
BRUKSEL- Shqipëria dhe Bosnja duhet të realizojnë kriteret e papërmbushura deri në vjeshtë, kur mund të liberalizohen vizat. Kjo është bërë e ditur pas takimit konsultativ në Bruksel, ku u analizuan kriteret që kanë përmbushur dy vendet. Komisioni Europian pritet të bëjë propozimin e tij nga fundi i muajit maj dhe një vendim paraprak të jepet në fillim të qershorit, i cili të jetë i kushtëzuar me përmbushjen e detyrimeve edhe në fushat e mbetura. Vendimi përfundimtar parashikohet të merret në tetor, me mundësinë që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi brenda vjeshtës. Jean Louis De Broëer, numri dy i zyrës së Komisionit Europian që merret me çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjen, ka informuar eurodeputetët e Komitetit për Çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlamentin Europian gjatë pasdites së djeshme, me progresin e bërë nga 2 vendet e rajonit. Pas këtij takimi, raportuesja për vizat, Tanja Fajon bëri një njoftim për shtypin, ku mbështetet liberalizimi i vizave në fillim të vjeshtës, duke vlerësuar se kriteret e papërmbushura ende duhet të realizohen deri atëherë nga autoritetet e Tiranës dhe Sarajevës. “Pres që Komisioni Europian të shpërndajë propozimin legjislativ për të dy vendet jo më vonë se fillimi i qershorit. Por, shpejtësia e mëtejshme për finalizimin e procesit është ende në duart e autoriteteve të këtyre dy vendeve. Ata duhet të sigurojnë në kohën e duhur se ata janë në gjendje t’u përgjigjen shqetësimeve që mbeten, veçanërisht për zbatimin e reformave në fushën e ligjit, rendit e sigurisë së brendshme”, - tha Fajon. Ajo ka bërë të ditur se Komiteti për Çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlament ka mbështetur liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, si dhe trajtimin si çështje “urgjente”, sikundër është angazhuar dhe nëntorin e kaluar. “Bosnja veçanërisht meriton sinjal pozitiv, tani më shumë se kurrë afër Brukselit”, - thuhet në njoftimin e raportueses Tanjan Fajon. Takimi mes Komisionit Europian dhe Komitetit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian shqyrtoi raportin mbi zbatimin e udhërrëfyesit për këtë çështje. Një takim i ngjashëm u zhvillua edhe një ditë më parë me Komitetin për Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësohen vendet anëtare të Bashkimit Europian. Raporti për Shqipërinë vlerësonte se vendi ka përmbushur plotësisht kriteret në bllokun e parë të udhërrëfyesit që ka të bëjë më sigurinë e dokumenteve, në dy blloqe të tjerë vlerësohej se objektivat përgjithësisht ishin përmbushur, ndërsa në një bllok tjetër, Shqipëria ka arritur të plotësojë shumicën. Vlerësimi për Bosnjen ishte se ajo ka përmbushur objektivat në tre prej katër blloqeve. Megjithatë, Shqipëria në krahasim me nivelin e Malit të Zi dhe Serbisë vitin e kaluar, kur ato morën liberalizimin e vizave, është në një nivel më të lartë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)