E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Inter-Barça, jo finalja e parakohshme

Masimo Morati: Katalanët janë të fortë, por edhe ne nuk qëndrojmë më poshtë

Gjithçka fillon nga e para, me Interin dhe Barcelonën që e nisin garën si të barabarta. Zhoze Murinjo është i bindur që dy sfidat e vlefshme për gjysmëfinalen ndryshojnë nga përballjet në fazën e grupeve. “Statistikat në mbajtjen e topit nuk më interesojnë shumë: nëse ndeshjen e fiton skuadra që e qarkullon më tepër topin, i bie që kemi humbur. Ka kaluar shumë kohë që prej ndeshjeve në grup: ata janë një skuadër e mirë, ashtu sikurse ishin në nëntor, ndërsa Interi është përmirësuar. Për këtë arsye mendoj se përpara fillimit të ndeshjeve shanset për kualifikim janë 50 me 50. Taktikisht jemi më kompaktë, mentaliteti në Champions ka ndryshuar. E kemi të qartë se na pret një sfidë e vështirë, por mendoj se edhe Barça është e shqetësuar që luan kundër nesh”, deklaroi drejtuesi i stolit zikaltër në konferencën për shtyp. Ai nuk e ka pranuar etiketimin e këtij takimi si një “finale e parakohshme”, duke treguar mjaft respekt edhe për dy gjysmëfinalistet e tjera, Bajernin dhe Lionin: “Nuk ekzistojnë finalet e parakohshme. Kjo është një ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalet, vetëm skuadra që do të fitojë do të ketë mundësinë të luajë në finalen e vërtetë, në Madrid. Lioni dhe Bajerni meritojnë respekt, pasi kanë arritur aty ku ndodhemi edhe ne. Edhe ato kanë 25 për qind shanse ta fitojnë trofeun, janë klube me traditë dhe kanë eliminuar skuadra të mëdha, si Reali i Madridit. Bajerni drejtohet nga një prej trajnerëve më të mirë në botë”. Gjatë këtyre ditëve, Murinjo është përgatitur mirë në aspektin taktik, duke studiuar pafund “DVD”-të e ndeshjeve të katalanëve. Ndërkohë, Lionel Mesi cilësohet si rreziku kryesor, një lojtar që duhet ndaluar. “Në 4 muajt e fundit nuk kisha parë asnjë minutë të lojës së Barçës, ndërsa në 15 ditët e fundit kam parë disa herë ndeshjet tona në grup dhe përballjet e tyre me Realin, Shtutgartin dhe Arsenalin: një punë normale. Nuk luajmë vetëm kundër Mesit, por në fushë zbresin 11 lojtarë”, tha ai. Sa për udhëtimin e “blaugranave” me autobus, Murinjo shtoi: “Natyrisht që nuk është aq komod sa të udhëtosh me aeroplan, por nëse do të më kishte ndodhur mua, do ta shfrytëzoja rrugën për të forcuar lidhjet brenda grupit”.

Mentaliteti europian, ai që i ka munguar Interit gjatë gjithë këtyre viteve, duket se është shndërruar në pikën e fortë të zikaltërve në sezonin aktual. Masimo Morati është i bindur për këtë fakt dhe ka besim te skuadra. “Atmosfera në ekip është ajo e duhura. Kontingjenti është i plotë dhe po përgatitemi mirë për një sfidë që premton të jetë mjaft e bukur”, deklaroi njëshi i klubit italian. Sipas tij, “Barcelona është një skuadër shumë e fortë”, ashtu sikurse edhe Interi. Morati nuk ka asnjë sugjerim për trajnerin Zhoze Murinjo: “Nuk dua ta bezdis kur është i përqendruar. E mjaft njoh mirë dhe jam i bindur se skuadra do të zhvillojë një ndeshje të nivelit të lartë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›