Murinjo: “Mançesteri, jo më i mirë se Interi”Trajneri zikalter: “Të fitosh Ligën e Kampionëve me Interin eshte një gjë e madhe”

Trajneri i Interit, Hoze Murinjo, nuk pret asgjë tjetër përveç fitores kundër Mançesterit, që është njëherësh edhe një nga tri supersfidat midis ekipeve angleze dhe atyre italiane në fazën e një të tetave të Ligës së Kampioneve këtë javë.
Sukseset e fundit në Europë të klubeve të Premier Ligës angleze do të thonë për Romën e Juventusin se duhet të jenë të shqetësuara në përballjet e tyre kundër Arsenalit e Romës, Murinjo ka të drejtë për optimizmin e tij përpara ndeshjes së të martës në Milano.
Murinjo ka humbur vetëm një nga dhjetë ndeshjet e tij kundër Mançesterit kur ishte menaxheri i Çelsit, por rasti më i famshëm është ai i nxjerrjes jashtë të “Djajve të kuq” nga Liga e Kampioneve gjatë rrugës për titullin e vitit 2004 me Porton.
Mançester Junaitid është kampioni në fuqi i Europës dhe favoriti kryesor për të mbrojtur fitullin në kampionatin anglez, por Interi është në një formë të jashtëzakonshme pas fitores 2-1 kundër Bolonjës, që e mban atë krye të Serisë A nëntë pikë larg Juventusit të vendit të dytë.
“Mançester Junaitid nuk është një ekip më i mirë se ne”, - tha Murinjo. “Unë kam luajtur 12 herë në pak vite kundër Mançester Junaitd, kështu që unë i njoh cilësitë e tyre, i njoh aftësitë e tyre”.
Cilësia kryesore e Mançesterit në 10 fitore rresht, që ka siguruar një diferencë të qartë prej shtatë pikësh në Premier Ligë, është pa dyshim mbrojtja. Lojtarë të tillë si Rio Ferdinand, Nemanja Vidiç dhe Xhoni Evans, pësuan golin e tyre të parë pas vetëm 15 ndeshjesh në kampionat gjatë fitores 2-1 kundër Bllekbërnit.
Menaxheri i Junaitid, Aleks Ferguson, ndihet i shqetësuar për faktin se mbrojtja nuk është e plotë në “San Siro”, për shkak se Vidiç është pezulluar për kartonin e kuq të marrë në muajin dhjetor gjatë Kupës së Botës për Klubet, ndërsa Evans ka probleme me kaviljen.
Me Geri Nevilin dhe Ues Broun në dy pozicione anësore të mbrojtjes, Ferguson mund të hedhë në fushë mbrojtësin Xhon O’Shi përkrah Ferdinandit në qendër.
“Unë vetëm shpresoj se mund të hedh dy qendërmbrojtës, por në këtë moment jam ende në dyshim”, - tha Ferguson. “Xhoni Evans mund të luajë të martën, por ai është shumë në dyshim”.
Me një lojtar si Adriano në vijën e parë, Interi mund të ketë shanse të mira për të krijuar një avantazh përpara ndeshjes së kthimit, më 11 mars.
Murinjo foli edhe për rolin e Ibrahimoviçit: “Ai ka ambicie për të fituar me skuadrën dhe trofe individualë. Ndeshja kundër Junaitid do të jetë një test i madh për të. Ai ka shansin të luajë kundër kampionëve të Europës, të luajë kundër një mbrojtësi si Rio Ferdinand. Unë jam i bindur se ai do të jetë i rrezikshëm. Unë nuk mendoj se ai ka arritur nivelin e duhur për aftësitë që ka. Por unë mendoj se ai është shumë afër. Unë mendoj se ai është përmirësuar shumë. Është duke shënuar më shumë gola, 14 në 24 ndeshje të kampionatit”.
“Të fitosh Ligën e Kampionëve me Interin do të jetë një gjë e madhe. Ky klub nuk e fiton këtë trofe qysh nga viti 1965. Është një kohë e gjatë për një klub të kësaj madhësie, me një mbështetje të madhe. Tani sfida është ta sjellim në Milan. Por së pari ne duhet të mundim kampionët”, - përfundoi trajneri i Interit, Hoze Murinjo.
Murinjo për...
...Ibrahimoviçin
“Për mua, ai është një nga lojtarët më të mirë në botë. Ai ka bërë një sezon shumë të mirë me Interin për një kohë të gjatë. Junaitid ka një mbrojtje të shkëlqyer këtë sezon, por kjo nuk do të thotë asgjë për Ibrahimoviçin”.
... K. Ronaldon
“Ka shumë lojtarë të mëdhenj në botë. Natyrisht, Mançesteri ka ‘Lojtarin më të mirë në botë’, Kristiano Ronaldon. Unë e respektoj dhe e admiroj atë që bëri Ronaldo për të fituar ‘Topin e artë’ dhe medaljen e FIFA-s”.
Ibra-Adri, dyshja e sulmit
Ibrahimoviç dhe Adriano do të përbëjnë dyshen sulmuese të Interit kundër Mançesterit. Trajneri Murinjo do të luajë kundër kampionëve në fuqi me një skemë taktike mbrojtëse 4-4-2 për të siguruar fitoren para publikut të tij. “Do të jetë një shumë argëtuese kundër Mançesterit. Nesër (sot) nuk do të vendoset asgjë, pasi kjo është një ndeshje me 180 minuta”, - tha Murinjo. “Ne do të luajmë me një skemë 4-4-2. Ibra dhe Adriano përpara, Kambiaso, Zaneti, Stankoviç e Muntari në rolin e mesfushorëve”.
E Marte, 24 Shkurt 2009