Murinjo: Nuk i kërkoj falje gazetarit
MILANO- Hoze Murinjo është rikthyer të flasë me shtypin, teksa nuk e bënte një gjë të tillë që pas ndeshjes së Champions League kundër Rubin Kazan. Tekniku portugez e ka bërë këtë para ndeshjes ndaj Livornos për Kupën e Italisë, por natyrisht që tema kryesore e gazetarëve të pranishëm ka qenë e sulmit të tij ndaj kronistit të “Corriere dello Sport” Andrea Ramaxoti në përfundim të ndeshjes Atalanta-Inter. Murinjo nuk ka pranuar të kërkojë falje për atë sherr, ndërsa ka pranuar se me gazetarin ka patur “llogari të vjetra”. “Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të them diçka, pasi që nga e diela deri më sot kam dëgjuar shumë gjëra, - u shpreh Hoze Murinjo. – Para së gjithash më duhet të jem i ndershëm dhe të them se është e vërtetë që e fyeva kolegun tuaj me një fjalë që nuk mund ta them këtu dhe që është ofensive. Por, nuk është e vërtetë se pati një tentativë agresioni apo kontakti fizik. Shkuam deri në këtë pikë jo për diçka që ndodhi të dielën, por një proces që ecën përpara prej shumë muajsh. Dhe sigurisht, faji është i imi sepse e fyeva, por edhe i i gazetarit që e dinte se në çfarë pike ishim, si edhe e ndonjë bashkëpunëtori të Interit që nuk ndërhyri. Duke parë të shkuarën, nuk ishte gjë e mirë të shihje atë gazetar para derës së autobusit tonë. Ndeshje pas ndeshje, gjithnjë e kam gjetur kolegun tuaj në të njëjtin vend. Disa ndeshje më parë i thashë se nuk e doja aty dhe ia përsërita, ndërsa në Bergamo në vend të shprehjes “çfarë bën ky zotëri këtu”, përdora një tjetër për dy herë”, tha portugezi. “Nuk do t’i kërkoj falje publike, sepse çështja nuk ishte publike, por private, - deklaroi tekniku i Interit. – Mund të flas me të si burrat dhe ta mbyllim këtu historinë. Me pak humor, po them se pres një dhuratë nga ai për Krishtlindje. Deri më sot Ramaxoti i famshëm ishte Erosi, ndërsa prej disa ditësh është bërë Andrea”.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)