E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Papandreu paraqet planin për rimëkëmjen ekonomike

ATHINË- Plan katërvjeçar për zvogëlimin e deficiteve dhe borxheve si edhe ristrukturim radikal të vendit ishin pikat kryesore të planit të kryeministrit grek, Jorgos Papandreu për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, gjatë një takimi me partnerët socialë, ku u vendos edhe fillimi i dialogut kombëtar, që do të zgjasë tre muaj, njoftoi sot media greke.

Plani parashikon shkurtime drastike të shpenzimeve në sektorin shtetëror dhe rregullimin tatimor të bonuseve për nëpunësit shtetërorë. Papandreu bëri të qartë se shtresat më të dobëta të shoqërisë dhe klasa e mesme do të mbroheshin.

Kryeministri grek dha afat edhe për një dialog kombëtar duke theksuar se nga fundi i shkurtit do të fillonte zbatimi i vendimeve që do të dilnin nga ky dialog.
"Jemi të vendosur të mos bëjmë asnjë hap prapa. Kemi fuqi dhe do ta dëshmojmë këtë", tha Papandreu.

Ai akuzoi ish-qeverinë e konservatorëve për gjendjen e vështirë aktuale të vendit.

Plani i propozuar nga kryeministri grek për rimëkëmbjen e ekonomisë parashikon zvogëlim gradual të deficitit buxhetor nën tre për qind nga fundi i mandatit katërvjeçar të qeverisë.

Papandreu gjithashtu paralajmëroi se do të ndërmerreshin masa të pashmangshme vendimtare për luftën kundër krimit të organizuar, debitorëve tatimorë dhe kontrabandës.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›