Murinjo: Pa Champions, i dështuar te Reali
Liga e Kampioneve është objektivi kryesor i Realit të Madridit. Zhoze Murinjo ka diktuar rrugën që duhet të ndjekin “galaktikët” në këtë fillim sezoni. “Liga e Kampioneve është një ambicie logjike për Realin e Madridit, të cilën nuk ka sesi të mos e ketë në këtë moment një skuadër e madhe që ka në organikë disa prej lojtarëve më të mirë në botë. Klubi më i rëndësishëm në botë nuk mund të rrijë 2 ose 3 sezone pa fituar asgjë dhe nuk mund të rrijë as 20 vjet pa fituar një Champions. Pastaj, fakti që Reali do të përballet me Barcelonën është një motiv ekstra për mua”, ka pohuar portugezi duke konfirmuar se me të në drejtim Reali nuk do të bëjë shpenzime marramendëse në merkato.
Ozil sposton Kakanë nga Reali i Madridit
Mesut Ozil pritet të zëvendësojë Kakanë te Reali i Madridit. Sipas asaj që ka publikuar e përditshmja spanjolle “AS”, javën e kaluar “Eurofinanza Sport”, shoqëria që menaxhon tratativat për Ozilin në Spanjë, është takuar me Valdanon, Hoze Angel Sançez dhe Pardezën, për të kuptuar se çfarë detajesh të fundit duhen rregulluar për t’i dhënë start tratativave. Menaxherët e gjermanit u kanë shpjeguar drejtuesve madrilenë se Verder Bremeni është i gatshëm që ta shesë lojtarin për një shifër prej 16 milionë eurosh, pasi e dinë fare mirë që pas 1 viti rrezikojnë që ta humbasin me parametër zero, sepse Ozil i ka refuzuar të gjitha ofertat për rinovim.
Dzeko kërkon largimin, sherr me klubin
Edin Dzeko është xhindosur me drejtuesit e Volfsburgut, sepse gjërat nuk po shkojnë ashtu siç i kishte parashikuar. Nga njëra anë, Juventusi nuk shton asnjë euro më shumë se ato 30 milionë që ofroi një muaj më parë, ndërsa nga ana tjetër Volfsburgu kërkon 40 milionë euro. Kanë mjaftuar këto veprime të drejtuesve gjermanë për të tërbuar Dzekon, i cili nuk ka duruar dot më, ndaj për herë të dytë brenda kësaj jave ka shkuar për t’u takuar me krerët e klubit, duke u kërkuar me ngulmim transferimin tek Juventusi, skuadër të cilën ai e pëlqen më shumë se pretendentet e tjera. Gjatë këtij takimi, Dzeko i ka kujtuar atyre se një vit më parë i kishin premtuar se do ta linin të lirë të largohej.