E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, pas 11 vitesh bëhet me fytyrë, rasti i parë në botë



Prej 11 vitesh ka jetuar me maskë, pa fytyrë, dhe tani ka protezën e parë të lëvizshme faciale në botë.

Krisi Steltz në Miluoki, Oregon, SHBA, në moshën 16- vjeçare pësoi një aksident që e la të shpërfytyruar. Gjatë një feste të rinjsh, një shok i dehur e kishte qëlluar pa dashje me një plumb në fytyrë duke e lënë pa sy, hundë dhe një pjesë të ballit. Mbijetesa e vajzës në atë kohë u quajt një mrekulli, por historia e dhimbshme e saj u komentua gjatë në Shtetet e Bashkuara. Me gjithë aksidentin e tmerrshëm që pati, vajza është përpjekur gjithmonë të ketë një jetë normale, siç ka deklaruar vetë për televizionin ABC. “Nuk do të doja që njerëzit të më fiksonin”, tha ajo duke u shprehur se megjithëse shikimi i është shkatërruar plotësisht ajo i ndjen reagimet e të huajve. Shpërfytyrimin e saj ajo është përpjekur ta fshehë me një maskë të zezë. Tani ajo ka mundur të gjejë edhe mikun e saj. E ka njohur në një shkollë për të verbrit ku ka mësuar të lexojë me prekje. Dhe një vit më parë, i ka dhënë jetë një fëmije. Krisi i ka përfunduar studimet me maksimumin e notave. Tragjedia e Krisit nisi në vitin 1999. Në një festë ku alkooli nuk kishte fund, një mik i dehur i ishte afruar duke luajtur me pistoletë dhe duke thënë, “Hej, mos kini frikë, nuk është e mbushur”. Këto ishin fjalët e fundit që ajo kishte dëgjuar. Qëndroi në koma për gjashtë javë, por mbijetoi. Më pas lajmi i keq, “nuk mund të shohësh më dhe as të nuhasësh”, i thanë mjekët kur u zgjua. Edhe dëgjimi i saj ishte dëmtuar. Por tani falë kirurgëve ajo ishte e para në botë që pati mundësinë të ketë “një fytyrë të re të lëvizshme”. Protezat e fytyrës nuk ishin testuar më parë. Por krisi thotë se realizoi një ëndërr: që fëmija i saj ta shohë në fytyrë. Specialistët e kirurgjisë kanë përdorur disa foto të vjetra të Steltz kur ishte 16 vjeç dhe i kanë përshtatur një protezë për moshën e saj aktuale. Sy të kaltër, hundë dhe vetulla artificiale. Një procedurë pionier e kryer nga stafi i kirurgut Eric Dierks. Impianti i protezës është prej silikoni, i fiksueshëm me magnete specialë titani në kockat e fytyrës. Përveç kësaj, proteza mund të hiqet dhe të rregullohet në çdo moment. Sipas rrjetit ABC, historia e vajzës ka pasur jehonë të madhe në Shtetet e Bashkuara, ku mijëra njerëz i kanë shkruar letra dhe mesazhe urimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›