Murinjo: Për mua, Çelsi nuk ka sekrete
Trajneri portugez flet për sfidën me blutë, kundërshtarë të Interit në Champions
Turi i 1/8-ve në Champions League do të vendosë Interin e Murinjos përballë çelsit të… Murinjos. E thënë ndryshe blutë e ndërtuar nga vetë tekniku luzitan, që prej vitit 2004. Në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s, portugezi nuk duket në ankth për skemat që do të përdorë Karlo Ançeloti, edhe sepse skuadra praktikon të njëjtat taktika të disa viteve më parë. Murinjo u kthye në “Stemford Brixh” më 28 dhjetor të vitit të kaluar: vetëm dhjetë ditë pas shortit, ai ndoqi sfidën e bluve me Fulham, por më i rëndësishëm ishte fakti se ai paraqitej për herë të parë në stadiumin londinez që prej largimit “me konsensus” me pronarin Roman Abramoviç (më 20 shtator 2007). Edhe pse kishin kaluar më shumë se dy vjet, asgjë nuk kishte ndryshuar, duke filluar që prej ushtrimeve për nxehjen: “Për të thënë të drejtën nuk pashë shumë ndryshime. I kushtova vëmendje të gjitha detajeve, por mua m’u duk sikur gjithçka kishte mbetur njësoj, si në periudhën kur unë drejtoja çelsin. Madje, edhe ushtrimet e nxehjes përpara ndeshjes, ishin të njëjtat. Rreshtimi gjatë goditjeve standarde të kundërshtarëve ishte njësoj si ai që përdorja unë, ashtu si edhe vendosja gjatë goditjeve standarde në fazën sulmuese. Disa herë, çelsi luan me skemën 4-4-2 në formë rombi dhe ndonjëherë me skemën 4-3-3: dy skemat që përdorja unë…”. Megjithatë, ndryshe nga sa mendohej, Murinjo ka vlerësuar kolegun e tij Ançeloti për ndryshimet e pakta. Sipas tij, kjo konfirmon se ish-trajneri i Milanit është mjaft cilësor, pavarësisht trofeve që ka fituar: “Ky është tregues i një trajneri të madh, e nuk ka dyshim që Ançeloti është i tillë: nëse lojtarët ndihen mirë me një skemë loje, përse duhet të veprosh si i çmendur dhe të bësh ndryshime radikale? Karlo e kuptoi se me këtë mënyrë loje, futbollistët ndihen më komodë dhe shfaqin të gjithë potencialin e tyre. E ka përshtatur vetëm pak me stilin e tij dhe kjo më duket normale. Gjithsesi, ai ka ditur të ruajë strukturën triumfuese të çelsit, jo më kot kjo skuadër vazhdon të jetë mes më të mirave në botë”.
Më tej, trajneri i Interit ka mohuar se do të ketë emocione dhe theksoi se skuadra kundërshtare nuk mund t’i rezervojë asnjë të papritur. “E dija që do të luaja kundër çelsit. Tashmë, për mua përballjet me të kaluarën janë shndërruar në traditë: me çelsin kam luajtur 2-3 herë kundër Portos dhe Barcelonës. Me Interin, menjëherë u ndesha me Barçën. Pra, më mungonte vetëm çelsi… Kjo nuk më emocionon. Kisha emocione vetëm kur u ktheva në ‘Stemford Brixh’, pasi ajo ishte shtëpia ime për tri vjet e gjysmë”, tha “Mou”. “Mendoj se Inter-çelsi do të jetë e thjeshtë, por jo vetëm për mua. Unë i njoh mirë kundërshtarët, por edhe ata më njohin po kaq mirë. Përveç Ivanoviç dhe Anelka, praktikisht janë të gjithë futbollistët që kisha unë në dispozicion! Për mua, ata nuk kanë asnjë sekret. Megjithatë, edhe unë për ta nuk kam sekrete: ky është një avantazh për të gjithë, e njëkohësisht një avantazh për askënd”. Në fund tekniku zikaltër shtoi: “Prej tetë vitesh nuk humbas në shtëpi me skuadrat e mia? Nuk mendoj që ta zgjas sa më shumë këtë ecuri, qoftë edhe për një ndeshje. Nuk do të hyjmë në fushë me synimin për të barazuar, kjo nuk do të ndodhë kurrë. Unë luaj vetëm për të fituar”.
#