E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo, alarm në sulm: Kam vetëm Karim Benzema

TIRANE-Reali i Madridit nuk do të ketë të gatshëm për 4 muaj sulmuesin Gonzalo Higuain, që është operuar dje nga hernia diskale dhe thuajse i ka dhënë fund sezonit. Një problem i tillë e ka rikthyer në merkato klubin madrilen, që është shumë pranë blerjes së Emanuel Adebajor nga Mançester Siti. Me marrjen e Edin Xhekos, klubi anglez e ka nxjerrë në shitje sulmuesin dhe në orët e ardhshme pritet edhe firma me Realin, që ka në dispozicion vetëm Karim Benzema si sulmues të mirëfilltë. Sherret e vazhdueshme me Mançinin apo me shokët e skuadrës e kanë bërë Adebajor një "non-grata" në "Eastlands", ndërsa për mediat angleze ai do të firmosë me "Los Blankos", ndoshta që pas derbit të Madridit që do të zhvillohet sonte.
Murinjo
Blerja e një sulmuesi është konsideruar si një domosdoshmëri nga trajneri i Realit të Madridit Zhoze Murinjo. Në konferencën e djeshme për shtyp, ai ka pranuar se asnjë nga skuadrat e mëdha të Evropës nuk është kaq keq në repartin e avancuar. "Milani përshembull ka Ibrën, Inzagin që është i dëmtuar, por ka edhe Kasanon, Robinjon dhe Paton. Nëse shikon të gjitha skuadrat do të shohësh se kanë një numër të madh sulmuesish, ndërsa ne kemi vetëm Karim Benzema", deklaroi Murinjo. Francezi gjithsesi nuk ka qenë ndonjëherë i preferuari i "Special One". Kur Higuain ishte i gatshëm, Benzema ngrohte stolin, ndërsa tani për Murinjon duket një zgjedhje e detyruar. Ndërkohë, trajneri i Realit të Madridit e konsideroi rastin e Higuain si të ngjashëm me atë të Xhon Territ, në kohën kur drejtonte Çelsin. "Tjetër gjë është rikuperimi klinik dhe tjetër gjë rikuperimi i formës së dikurshme, - komentoi Murinjo. - E njëjta gjë ndodhi edhe me Terrin në Angli. Ai u rikthye në stërvitje pas disa muajsh dhe nisi të luante sërish, por vuajti shumë që të rikthehej qendërmbrojtësi më i mirë i Premier Ligës", shtoi portugezi. Higuain nuk luan që prej një muaji për shkak të hernies.
Polemikat
Në konferencën për shtyp të mbajtur dje, Murinjo komentoi edhe momentin e mërzitjes së tij, kur drejtuesit e FIFA-s e prezantuan për "Topin e Artë" si trajner të Realit të Madridit. "Është normale që të mërzitesha, sepse në vitin 2010 unë kam drejtuar Interin dhe Realin, - shpjegoi tekniku nga Setubali. - Me Interin fitova gjithçka dhe prandaj mora këtë çmim". Më tej, ai përgëzoi drejtuesit e Federatës Spanjolle, që i hoqën kartonin e kuq mesfushorit të Vilarealit Ruben Cani. Në ndeshjen e së dielës në "Bernabeu", ky i fundit e goditi me shishe Murinjon që po festonte para pankinës së skuadrës mike. "Më vjen mirë që ia kanë hequr kartonin, por nëse do ta bënte këtë një nga lojtarët e mi, do të ishte pezulluar 3 muaj", u shpreh Murinjo.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›