Murinjo analizon pamjet: Vlejnë më shumë sesa fjalët
Do të prezantohet apo jo? Kjo ka qenë pyetja që qarkullonte në mendjen e pjesës blanca të Madridit në mëngjesin e djeshëm. Subjekti? Zhoze Murinjo i pritur në konferencën për shtyp për garën e Ligës kundër Saragozës. Arsyeja? Skandali i shpërthyer të martën në mbrëmje në “Bernabeu” pas fitores 0-2 të Barcelonës në sfidën e parë të gjysmëfinaleve të Champions.
Zhoze erdhi, por kishte lënë në shtëpi Kristiano Ronaldo, Albiol, Diarra dhe Alonso (këta dy të fundit të përcaktuar “si të vdekur nga lodhja pasi luajtën shumë minuta vetëm në mesfushë”), që të pushojnë në prag të ndeshjes së kthimit me Barçën ditën e martë, akti i fundit i El Clasicos që këtë vit u duk i pambarimtë. U prezantua dhe vendosi një bunker, si klubi me të: një gardh mbrojtjeje që e flak topin në tribunë. Asnjë fjalë spektakolare, asnjë shashjë.
Fjalë dhe imazhe
Sikundër ndodhi edhe të mërkurën në mbrëmje, pyetja e parë i jep vijë leit motivit të zgjedhur nga Mou. Të mërkurën ishte e famshmja “por que?”, dje tema ishte: “Imazhet vlejnë më shumë sesa fjalët?”. Që portugezi e përsëriti derisa u bë i mërzitshëm. “Duke qenë se këto ditë janë të shumta imazhet që qarkullojnë nëpër botë, të shumta janë edhe fjalët. Nuk duhet të them asgjë më shumë. Kush kritikon fjalët e mia, kritikon imazhet dhe ai që kritikon imazhet, mendon se fotot janë të përpunuara dhe videoja një montazh. Ka shumë nga ai material në qarkullim, kështu që nuk duhet të them më asgjë. Asgjë prej gjëje!”.
Tifozët i thonë “mjaft”
Por, duket se portugezi Murinjo po humbet edhe besimin e tifozëve të Real Madridit. Mënyra e tij e të komunikuarit nuk është më në modë dhe janë ata që e duan klubin më shumë se çdo gjë që kanë vendosur t’i thonë “mjaft” lojës që po luan portugezi, pasi kudo që ka shkuar dhe me kë është ndeshur, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka krijuar tension. Shumë njerëz të shquar të botës së futbollit nuk e pëlqejnë këtë stil të Murinjos dhe mendojnë se portugezi, me stilin e tij provokues, është duke ia prishur imazhin që kishte Reali në Europë. Gazeta madrilene “Marca”, e afërt me Realin e Madridit, ka organizuar një sondazh me pyetjen “'A ka të drejtë Murinjo kur thotë se Barça ndihmohet nga gjyqtarët?”. Dhe në doni ta besoni në jo, 71 për qind (mbi 52 012 tifozë) e të anketuarve janë përgjigjur me “JO”, kurse vetëm 28,1 për qind (20 343 tifozë) e kanë përkrahur Murinjon. Ky sondazh, sipas kësaj të përditshmeje, tregon se Zhoze Murinjo është duke humbur besimin edhe te vetë tifozët e “Los Blancos” dhe duket se largimi i tij nga Spanja mund të jetë më i shpejtë se që pritet.