Sanatoriumi me shërbime të reja
Spitali Universitar i Mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, i njohur ndryshe si Sanatoriumi, do të ofrojë për pacientët edhe shërbime të tjera, si kardiologjinë apo kirurgjinë, krahas atyre që janë ofruar deri më sot, që lidhen me patologjitë që prekin mushkëritë. Tashmë ky spital pritet të presë një numër të konsiderueshëm pacientësh, krahas atij të QSUT-së. Gjithçka do ta bëjnë të mundur aparaturat dhe sallat e reja që janë rikonstruktuar me ndihmën e qeverisë austriake. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në përurimin e rikonstruksionit të spitalit Universitar të Mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, shpjegoi se objektivi kryesor i projektit të financuar nga kredia austriake ishte rritja e nivelit dhe e gamës së pajisjeve mjekësore të këtij spitali, sidomos për nevojat urgjente që kanë për qëllim transformim të spitalit ekzistues në një spital të specializuar për sëmundjet e mushkërive, zemrës, atyre interne (gastro-hepatike, reumatologji, nefrologji, endokrinologji dhe hematologji) si dhe sëmundjeve kirurgjikale. “Do të ketë edhe një fazë të dytë rikonstruksioni dhe përfundimisht shërbimi i kardiologjisë së avancuar, i një kirurgjie të përgjithshme etj. i japin pamjen e një spitali me dimension të ndryshëm nga ai që ka pasur më parë, pra ofron shërbime shtesë, të cilat dekoncentrojnë punën, jo gjithçka do të përqendrohet te ‘Nënë Tereza’, por bëjmë një shpërndarje, ku jo vetëm shkurtojmë kohën e kurimit të pacientëve, por rrisim edhe cilësinë e shërbimit”, - tha ministri Vasili. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.823, datë 11.06.2008, ish-Sanatoriumi Tiranë u shndërrua në Spitalin Universitar të Mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, me një kapacitet prej 300 shtretërish. Falë rikonstruksionit, spitali do të funksionojë me shërbimet e mëposhtme: Pneumologji dhe TBC; Kirurgji toraksi; Kirurgji e përgjithshme; Kardiologji; Mjekësi interne (gastro-hepatologji, reumatologji, nefrologji, endokrinologji dhe hematologji). Aktualisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë trajtohen rreth 140 pacientë nga të gjitha rrethet e vendit.