E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo, e mbaruar me Realin: I është premtuar edhe Runi

“Nuk jam i Realit. Nuk hyjnë paratë, por Italia nuk më respekton”

Mes Zhoze Murinjos dhe Real Madridit ka një marrëveshje parimore. Mungon vetëm firma. Pengesa e fundit është impenjimi shumë i rëndësishëm i së shtunës kundër Bajernit të Mynihut në Champions League, që për ironi të fatit mbahet në Madrid. Spanjollja “As” ironizon pikërisht me faktin se ajo e së shtunës do të jetë ndeshja e fundit në Bernabeu, në të cilën Murinjo do të pozicionohet në dhomat e zhveshjes së miqve, për t’u bërë më pas zot i shtëpisë. Perez e ka bindur Murinjon për një transferim të shpejtë te Reali, edhe falë premtimit për të blerë në sezonin e ardhshëm fenomenin Runi, lojtarin shumë të çmuar nga tekniku portugez. Një sulmues fenomenal, i cili këtë vit i ka munguar Realit dhe që me Kaka e Kristiano Ronaldo do të formojë një treshe fenomenale. “Nuk është një problem kontrate apo parash dhe më vjen pak turp nga fakti që fitoj kaq shumë me gjithë këtë krizë që është. është një problem kënaqësie personale, për t’u ndjerë i respektuar ose jo në një komb futbollistik, në të cilin kam pasur shumë probleme”. Këtë ka thënë Murinjo në lidhje me të ardhmen e tij në konferencën e dheshme për shtyp. “Nuk ndryshoj atë që kam thënë disa ditë më parë, ka shtuar ai. Nuk është e vërtetë se jam trajner i Realit. Pas finales dua tre ose katër ditë për t’u menduar me qetësi për të ardhmen time. Sigurisht Interi nuk mund të bëjë asgjë më shumë për të më bërë të lumtur dhe të ndihem i rëndësishëm: lojtarët janë fantastikë, ekziston afrimitet me tifozët, të gjithë në klub janë fantastikë”. “Rezultati i së shtunës nuk vlen, nuk do ta ndryshojë vetëdijen time se kam bërë gjithçka ishte e mundur. Interi nuk më detyrohet asgjë dhe unë nuk i detyrohem asgjë Interit, sepse kam dhënë gjithçka. Jam i qetë, rezultati nuk do të ndikojë në vendimin që do të marr për të ardhmen time. Pasardhësi im? Klubi më ka zgjedhur mua dhe ka zgjedhur mirë. Kur të duhet ta bëjë sërish, do ta bëjë si duhet. Pas finales do të reflektoj për të ardhmen time. Duhet të mendoj dhe nuk kam menduar akoma. Në këtë moment jam trajneri i Interit. Kam një kontratë deri në 2012 ose 2013, nuk më kujtohet mirë. Nuk dua të jap identikitin e askujt, sepse ndoshta jam unë...”. Morati është dorëzuar tashmë para lamtumirës së Murinjos, dhe ndoshta për shkak të një sezoni të kënaqshëm, nuk po e dramatizon çështjen. E ardhmja e Interit do të ishte Fabio Kapelo: për teknikun friulan është gati një kontrate 2-vjeçare me të njëjtat shifra që përfitonte Murinjo. Morati nuk dëshiron të rrezikojë me trajnerë të huaj apo të rinj dhe i beson një trajneri pragmatik, i cili do të blindojë një mbrojtje tashmë solide, duke transmetuar motivime të reja, kulturë pune dhe mentalitet fitues. Pas dy vitesh tek Interi mund të rikthehet Mihajloviç, teknik shumë i vlerësuar nga Morati, por, i cili aktualisht konsiderohet shumë i ri. Me gjithë përgënjeshtrimet, nuk është për t’u përjashtuar fakti që Murinjo mund të sjellë te Reali i Madridit ndonjë beniamin: përfshi “ish”-ët Shneijder, Kambiaso e Samuel, është shumë e mundur marrja e Maikon, i cili mund të ndryshojë ambient.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›