E Diel, 1 Nëntor 2026

Barça, Ibrahimoviç në shitje Katalanët, ofertë për Torres

Mungojnë detajet për akordin me David Vijën, priten zhvillime për çesk Fabregas

Ai që gabon, paguan. Dhe Ibrahimoviç ka gabuar shumë me Barcelonën gjatë këtij sezoni. E përditshmja “Sport”, gazetë e cila është mjaft e lidhur me klubin “blaugrana”, përdorte titullin e madh, “Ibra del në shitje”. Për sulmuesin suedez, lista me klubet që interesohen është mjaft e madhe: nga Mançester Siti i Mançinit, deri te çelsi i Ançelotit, për të vazhduar më pas me Mançester Junajtidin e Sël Aleks Ferguson, pa harruar edhe Juventusin. Sipas “Sport”, klubi katalan është shprehur i hapur “për të vlerësuar të gjitha ofertat që do të mbërrijnë për lojtarin”. Pas transferimit në “Kamp Nou” nga Interi, të gjithë prisnin që Ibra të shkëlqente. Megjithatë, në superskuadrën kampione të botës dhe të Europës, 28-vjeçari nuk arriti të adaptohej dhe rrjedhimisht nuk ishte asnjëherë vendimtar. Përkundrazi, lëvizshmëria e tij e pakët ka shkaktuar probleme për skemat e Pep Guardiolës: jo më kot, në mjaft raste trajneri ua ka besuar repartin ofensiv lojtarëve të shpejtë si Leo Mesi, Bojan Kërkiç dhe Pedro Rodriguez. Presidenti Joan Laporta duket se është bindur që afrimi i Ibrahimoviç ishte një investim i gabuar dhe tashmë është gati ta shesë sulmuesin. Natyrisht, më të favorizuara për shërbimet e suedezit janë skuadrat angleze, të cilat kanë fonde të mjaftueshme për të blerë kartonin e lojtarit dhe për të përballuar rrogën e tij të lartë.

Largimi i Zlatan, por edhe lamtumira e mundshme e Tierri Henrisë krijon hapësira në sulmin e Barçës, të cilat klubi po mendon t’i plotësojë me yje të nivelit botëror. David Vija është objektivi kryesor, ndërsa Laporta dha garanci për blerjen e tij dhe theksoi se për marrëveshjen me Valencian, “mungojnë vetëm disa detaje”. Një tjetër objektiv është Fernando Torres i Liverpulit. Spanjolli kërkohet nga çelsi, madje blutë janë shprehur të gatshëm që të paguajnë mbi 58 milionë euro. Por, me shitjen e Ibrahimoviç, katalanët synojnë të sigurojnë fonde të mjaftueshme për t’u paraqitur te “Reds” me një ofertë të parezistueshme dhe të mposhtin konkurrencën e kampionëve të Anglisë. Në listën e blerjeve të Barcelonës për edicionin e ri është edhe çesk Fabregas. “Blaugranat” presin se çfarë do të ndodhë në takimin e mesfushorit me trajnerin e Arsenalit, Arsen Venger, ndërsa më pas do të hidhen në veprim.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›