Murinjo i jep “leksion historie” Dani Alveshit

Te shtunen mbrema tekniku portugez nuk humbi kohe dhe i ktheu “reston” mbrojtesit te Barçes
Kush sulmon Murinjon, e di shumë mirë se sa shumë rrezikon. Përgjigjja do t’i vijë menjëherë dhe mbase edhe në faqet e para të të gjitha gazetave. Megjithatë, shumë lojtarë “Specialin” nuk e duan dhe kërkojnë që në tërë mënyrat ta sulmojnë apo edhe ta poshtërojnë (siç bëri Barça në klasiken spanjolle).
“Leksione historie” për Dani Alveshin
Kështu, pas “pëllëmbës” që i dhanë lojtarët e Barçës homologëve kastijanë, Dani Alvesh, me deklaratën që bëri pak ditë më parë (“Murinjo nuk ka shpikur futbollin”), kërkoi që “të qëllonte” edhe mbi “orakullin” nga Setubali. Por ky i fundit, ndryshe nga lojtarët e Realit, ia ktheu menjëherë përgjigjen mbrojtësit brazilian të Barçës: “Jo”. Përpos aprovimit që i bëri thënies së Alveshit, Murinjo i dha edhe “leksione historie” amerikano-jugorit: “Dua t’i them që vendin e tij ku ka lindur (Brazili) e ka zbuluar një portugez, ndërsa për sa i përket futbollit, nuk mund të them një gjë të tillë. Pra, nuk ka qenë një portugez që e ka shpikur. Ai ka shumë të drejtë. Unë nuk e kam shpikur këtë lojë”. Pas këtyre fjalëve, tekniku portugez i Realit ironizoi Alveshin: “Fjalët e tij nuk i marr për keq. Të gjithë duhet të mësojmë nga persona kaq të zgjuar. As Ajnshtajni nuk mund të kishte thënë gjëra aq me vlerë”.
Për Bo Larsonin
Pasi “rrënoi” Alveshin, Murinjo i ktheu përgjigjen e duhur edhe arbitrit Bo Larson (kishte thënë për Kristiano Ronaldon se në 14 vitet e karrierës së tij nuk kishte pasuar asnjë lojtar kaq acarues sa portugezi). Për t’i kthyer “reston” arbitrit nordik, Murinjo iu rikthye metodës së tij të vjetër (e ka përdoruar edhe në Itali), reklamës. “Orakulli” tha: “Ai është një arbitër i zgjuar, pasi di shumë mirë se si t’i bëjë reklamë vetës. Duke folur për lojtarët e famshëm, ai tërheq mbi vete shumë media. Mendoj se ai për këtë të fundit kishte shumë nevojë, pasi ai është një arbitër normal. Askush nuk e kishte vënë re që i kishte dhënë lamtumirën karrierës ndërkombëtare. Por tani mendoj se është i gëzuar, pasi të gjithë flasin për të. Mendoj se disa njerëz në futboll dinë shumë mirë se si të fitojnë faqet e para. Për fat të mirë, unë për të bërë diçka të tillë përdor mënyra të tjera”.
I lumtur për rikthimin e Kakasë
Nga “show” i Murinjos “shpëtoi” vetëm Rikardo Kaka. Mesfushori brazilian i Realit ka plot katër muaj që nuk luan me “mbretërorët”, pasi është i dëmtuar, por stërvitet fort në këtë periudhë, pasi në janar pritet t’u rikthehet fushave të futbollit. Sipas teknikut portugez, lojtari një fjalë është një element shumë i rëndësishëm i ekipit. “Në janar do të jetë së bashku me ne. Unë nuk jam ankuar për dëmtimin e Higuainit, po ashtu kam bërë edhe këta pesë muaj kur nuk kam pasur mundësi të aktivizoj Kakanë. Por tani, për momentin që po flasim, ju tregoj se ndihem shumë mirë, pasi riaftësimi i Kakasë është një lajm i mrekullueshëm për Realin. Ai është përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Prandaj, dua të përgëzoj si atë, ashtu edhe mjekët e fizioterapistët. Ai do të jetë shumë i rëndësishëm për ne. Them kështu, pasi flasim për Kakanë, një nga lojtarët më të mirë në botë”, - përfundoi Murinjo.