Përkujtohet 210-vjetori i lindjes të Vangjel Zhapës, shqiptarit që sponsorizoi lojërat olimpike

Vangjel Zhapa renditet një nga figurat historike botërore më të ndritura të njerëzimit, që me përkushtim jetën e tij ia kushtoi zhvillimit dhe përparimit të njerëzimit. Vangjel Vasil Zhapa, siç deklaronte ai vetë, “u përkiste të gjithëve”, prandaj edhe ne bashkëfshatarët dhe dashamirës të tij u mblodhëm më 23 gusht 2010, në vendlindjen e tij, në Labovën e Zhapës për kryerjen e shërbesës fetare përkujtimore, të organizuar për nder të tij në kishën e fshatit, ku iu falëm Zotit, që mbarë njerëzimi dhe veçanërisht kristianizimi, të ndjekim shembullin dhe veprën madhore të Vangjel e Kostandin Zhapës.
Të gjithë së bashku si evropianë dhe më gjerë, të krenohemi me veprën e Vangjel Zhapës që nuk la vende të Ballkanit pa dhënë kontributin e tij në përhapjen e dijes dhe të kulturës, duke kontribuar edhe materialisht për ndërtimin dhe funksionimin e shkollave të kishave dhe xhamive, pa bërë dallim feje dhe gjuhe, të të folurit dhe të të shkruarit. Me paratë e fituara prej tij, në napolona floriri hapi universitete e shkolla të mesme të shumta në Rumani, Greqi, Shqipëri, Turqi etj. Në madhështinë e tij, Vangjel Zhapa financoi lojërat olimpike të lashtësisë, ripërtëritjen e tyre në Greqi në vitin 1859 dhe sponsorizoi edhe lojërat olimpike të viteve 1870, 1875 dhe ato të vitit 1889. Gjithashtu, ndërtoi Pallatin e Madh Olimpik Zappion, Stadiumin e Lojërave Olimpike në Athinë dhe shumë objekte të tjera olimpike dhe sociale.
Zëri dhe vepra e bamirësit të madh Vangjel Vasil Zhapa, dy shekuj më parë u ndie kudo në botë, si në Rusi, Kinë, Brazil, Angli, Francë etj. e kryesisht në mbarë Ballkanin, prandaj ky përkujtim dhe kjo shërbesë fetare që ne i bëjmë me rastin e ditëlindjes së tij në Kishën e Papandisë të Labovës, ku lindi Vangjel Zhapa, përbën një eveniment të rëndësishëm, është shprehje e solidaritet vëllazëror të të gjithë popujve të botës, për të jetuar kurdoherë në paqe dhe miqësi të përjetshme.
Përkujtimi që iu bë Vangjel dhe Kostandin Zhapës në Kishën e Papandisë e rindërtuar rishtas, me një stil modern, dykatëshe, nën kujdesin dhe ndihmën konkrete të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Shkëlqesisë së tij, zotit Anastas Janullatos, është një nder i madh që u bëhet bashkëfshatarëve të sotëm të Vangjel Zhapës, prandaj shprehim përzemërsisht falënderimet për Kryepeshkopin Janullatos dhe shpresojmë se së shpejti do ta kemi në Kishën e Papandisë të Labovës së Zhapës, për të kryer një shërbesë fetare madhështore për Vangjel e Kostandin Zhapën.
Vangjel dhe Kostandin Zhapa vendlindjen e tyre Labovë e shndërruan në një qytezë të bukur, me shkollë të mesme të ndërtuar në vitin 1860, hapën kurse për të mësuar vajzat qëndisjen dhe avlëmendin, ngritën kurse arsimore për të kualifikuar arsimtarët e jugut të Epirit të asaj kohe. Vangjel Zhapa arsimoi me dhjetëra të rinj dhe të reja në universitetet më të mira të vendeve perëndimore. Gjithashtu, martonte vajza të familjeve të vobekta dhe u bënte pajën, ndihmonte me para të gjitha familjet e varfra të fshatit të tij dhe të fshatrave të krahinave të tjera të jugut. Ndërtoi në Labovë një shërbim tregtar që quhej “Llonxhe”, ku zhvillohej tregti që nga blerja dhe shitja e të gjitha produkteve ushqimore dhe blegtorale, materialeve ndërtimore e deri tek këmborët dhe zilet e bagëtive. Fshatin Labovë e shtroi me kalldrëm, duke e lidhur rrugën e tij me fshatin Karjan dhe me rrugën kryesore që lidh krahinën e Lunxhërisë me Gjirokastrën etj. Vangjel e Kostandin Zhapa shtëpitë e tyre i ndërtuan me stile moderne të kohës, të cilat edhe pse u dogjën dhe u shkatërruan, u rezistojnë akoma kohës, jo vetëm për t’u rindërtuar e kthyer në momente kulture, por kryesorja për t’u kthyer në muze me përmasa evropiane e botërore, që të mos shuhet kurrë historia e Vangjel e Kostandin Zhapës, por të mbetet e ndezur si flaka olimpike që ata rindezën për lojërat e reja olimpike.
Prifti i fshatit Labovë e Zhapës, Papa Kristo Lani, që drejtoi shërbesën fetare, e vlerësoi atë si një ngjarje të veçantë dhe shumë të rëndësishme, i cili dha mesazhin që t’i lutemi Zotit, që shpirti i këtij kolosi, i njeriut që kapërceu shekuj, të mbushë me krenari dhe të shërbejë si nxitje e shembull për të gjithë njerëzimin, për të bërë gjithmonë të mira dhe vetëm të mira për njerëzimin.