E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo, i kënaqur me fitoren, por aspak nga niveli i shfaqur

Inter mendohej që ta mbyllte me sukses ndeshjen me kampionin e Qipros, Anorthosis, por pak besonin se shifrat e këtij suksesit do të ishin minimale. Tekniku portugez, Murinjo, e shikon skuadrën në kryesimin e grupit B, por ka mbetur larg të qenit i kënaqur me nivelin e lojës që zhvilloi Interi i tij. "Jam i të njëjtit mendim si ju, deklaroi në konferencën e shtypit, tekniku portugez. Nuk ishte një nivel loje që krijonte impresion të veçantë. Megjithatë, për situatën ku ndodhemi dhe rezultatin e marrë, mund të them se ato janë komforte dhe të krijojnë ndjesinë e të qenit i qetë". Për teknikun Murinjo, java që kaloi Interi ishte shumë e vështirë, pasi shumë futbollistë u rikthyen të lodhur, pas detyrave që ata kryen me skuadrat kombëtare, në ndeshjet eliminatore për Kupën e Botës-2010, në Afrikën e Jugut. Në veçanti kjo javë ishte e vështirë për futbollistët brazilianë dhe argjentinas të Interit. "Mendoj se dëmtimi i Kambiasos ishte pasojë e natyrshme e lodhjes së madhe fizike në ndeshje, por dhe udhëtime të gjata rraskapitëse. Adriano shënon golin e vetëm të fitores dhe Murinjo, që e la pushim në sfidën me Romën, tregoi se cila është kura për sulmuesin brazilian: "Nëse Adriano fle mirë, stërvitet intensivisht dhe pi vetëm ujë, ai mund të jetë shumë komfort në lojën e tij gjatë 90 minutave". Edhe në një natë pa golin e Ibrës, Zlatan merr vlerësimin e portugezit. "Një si ai duhet të luajë gjithmonë. Për mua, për skuadrën, për klubin, për tifozët dhe për të gjithë ata që e duan futbollin. Nuk e kuptoj se si mund të flasin të tjerët dhe nuk i kuptoj ata, që më pyesin nëse është e drejtë ta lë të luajë kaq shumë, përse nuk e nxjerr në minutën e 70". Për lajmin e blerjes së Bekhamit nga Milani vjen një batutë: "Sigurisht, Interi nuk mundej ta merrte, ka 29 lojtarë, të gjithë shumë të fortë. Ardhja e tij megjithatë është një lajm fantastik për Milanin dhe për futbollin italian". Anorthosis ka humbur, pasi ka testuar jo pa sukses kundërshtarët e tjerë të grupit, Verder Bremen dhe Panathinaikos. Për teknikun e kampionit të Qipros, Ketsbaja post-ndeshja ishte një përzierje kënaqësie dhe kurajoje. "Inter është një skuadër e madhe dhe kjo më bën kurajoz për lojën e skuadrës sime. Ajo që më pëlqeu të skuadra ime ishte se e pa në sy Interin, nuk tregoi frikë dhe kolaps përpara një emri të madh". Për Ketzbajen, skuadra e tij duhet të qëndrojë në tokë: "Kemi katër pikë, por ato nuk mjaftojnë për të dalë në vendin e tretë". Anorthosis mendon objektivin më të realizueshëm: nga Champions League të vazhdojë në Evropë, në Kupën UEFA.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›