E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo i kënaqur me fitoren, sulmon Valdanon

Zhoze Murinjo ka pranuar se ka rrezikuar shumë, kur në ndeshjen kundër Majorkas (1:0) vendosi për zëvendësim të dyfishtë. Në vend të Gagos dhe Kakas, ai futi në lojë, kur rezultati ishte 0:0, Ksabi Alonson dhe Mesut Ozilin. Kjo iu shpagua në fund, pasi Reali me golin e Karim Benzemas fitoi dhe kështu mbeti 4 pikë prapa kryesuesit, Barcelonës.

“Vendimet e mia ishin të rrezikshme, por vendosa që mesfushorët të pushonin sepse do të luajnë të mërkurën kundër Seviljas, në revanshin e gjysmëfinales së Kupës së Mbretit dhe kjo solli rezultatin e dëshiruar”, tha Murinjo. Ai shprehu mirënjohjen në mënyrë të veçantë për tifozët e Realit, të cilët edhe pas lojërave jobindëse nuk u kthyen kundër ekipit, por nuk ka harruar pa shigjetuar “armikun” e tij në Casa Blanca. Menaxheri i Real Madridit, Zhoze Murinjo, thotë se ai kurrë nuk flet me Drejtorin e Përgjithshëm, Horge Valdano. Murinjo ka vazhduar zënkën e tij me argjentinasin, edhe pas fitores së mbrëmshme ndaj Real Majorkas. “Unë nuk flas me Valdanon, unë i raportoj drejtpërdrejtë presidentit (Florentino Perez) dhe Hoze Angel Sançezit. Ne nuk kemi biseduar për nënshkrimet. Ne të gjithë e dimë tregimin e vjetër të një sulmuesi, që tashmë ka flokë të thinjura. Deri më 31 janar gjithçka mund të ndodhë, por kjo mund edhe të mos ndodhë”, ka deklaruar Murinjo duke bërë kështu fërkimin e radhës me ish-lojtarin e përfaqësueses argjentinase.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›