FSHF ‘driblon’ demonstratën, sposton ndeshjet
Të premten sërish kryeqyteti do të jetë nën gardhin policor dhe, Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar që ndeshjen Tirana-Skënderbeu, më të rëndësishmen e javës së 17-të, të mos luhet as këtë javë, por të spostohet për të enjten e javës së ardhshme, që korrespondon me datën 3 shkurt. Është zgjedhur dita e enjte për të shmangur një tjetër protestë, gjithnjë nëse do të ketë një të tretë, por në zyrat e FSHF-së duan të jenë të sigurt që asgjë të mos e kushtëzojë garën. Forcat e rendit kanë refuzuar të sigurojnë rendin në stadium në kryendeshjen e javës së shkuar, çka ka sjellë edhe spostimin e saj 2 javë më pas. Gjithashtu, për takimet e javës së 18-të, janë marrë masat e nevojshme që të mos luhet asnjë ndeshje të Tiranë ditën e premte, por mundësisht, të dielën, kur situata të jetë qetësuar dhe uniformat blu të jenë në gjendje të garantojnë rendin në stadiumet e kryeqytetit, sidomos po të kemi parasysh se përballja e radhës në “Qemal Stafa” do të jetë derbi Dinamo-Tirana, çka do të kërkojë një prezencë të shtuar të policisë në shkallaret e impiantit tonë ndërkombëtar.
Gjithashtu, dy ndeshjet e tjera të anulluara të javës së 17-të, Elbasani-Dinamo dhe Shkumbini-Teuta, të cilat nuk u zhvilluan dot ditën e diel, do të rikuperohen këtë mesjavë, më konkretisht ditën e nesërme. Takimet do të luhen në orën 13:00.
Tirana prezanton Balën
Bekim Bala ka firmosur me Tiranën, duke u bërë kështu përforcimi i radhës nga ana e presidentit Refik Halili, për trajnerin Nevil Dede. Ish-lojtari i Vllaznisë, së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës turke të Gençlerbirligi, por pa mundur të gjejë hapësirat e nevojshme, për të qenë pjesë e grupit më të besuar të lojtarëve. Bala, 20 vjeç, është pjesë e kombëtares shpresa dhe shihet si një sulmues me të ardhme të madhe, ndonëse eksperienca e tij e parë jashtë vendit nuk ka shkuar, sikundër ai ka dëshiruar. Me këtë përforcim, Dede praktikisht ka rikuperuar “kokë më kokë” humbjen e Plakut, edhe pse Bala ngjan më shumë me kroatin Pero Pejiç, me lëvizjet e tij në fushë. Sipas informacioneve paraprake, Bala ka firmosur një kontratë prej një viti e gjysmë, ku do të përfitojë jo pak, por thuajse 100 mijë euro, duke u bërë një prej më të paguarve të kampionatit shqiptar. Së bashku me Gilman Likën, Bala rrit ndjeshëm cilësinë e grupit në dispozicion të trajnerit Dede, dhe, ndonëse Tirana është shumë larg, llogaritë për titullin kampion mund të quhen të rihapura për kryeqytetasit bardheblu.