E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo këshillon Liverpulin për titull

Trajneri i Interit, Hoze Murinjo, beson se Liverpuli i ka të gjitha shanset që të fitojë titullin në këtë sezon. Në editorialin e tij për "Sunday Telegraph", ish-trajneri i Çelsit ka pranuar se skuadra e Refa Benitez i ka të gjitha kartat në rregull për të pasur sukses në Premiership. "Liverpuli i këtij sezoni ka qenë një skuadër vërtet shumë interesante për t‘u ndjekur", shkruante portugezi. "Mendoj se ata kanë gjithçka që i nevojitet për të fituar titullin". Pasi kanë kryesuar në pjesën më të madhe të edicionit, tashmë "Reds" renditen në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Junajted: skuadra e Ferguson ka diferencë më të mirë golash, por edhe avantazhin e një ndeshjeje më pak. Pavarësisht kësaj, Murinjo këmbëngul se Liverpuli mund të rikthehet në krye, madje ka shprehur habi rreth faktit sesi ata nuk kanë mundur të fitojnë në sezonet e fundit. "Ende nuk arrij ta kuptoj përse Liverpuli nuk e ka fituar kampionatin në katër vitet e fundit. Gjithsesi, ata i kanë të gjitha shanset që të triumfojnë në fund të këtij sezoni", këmbënguli ai. "Trajneri është i mirë, skuadra është e mirë, tifozeria është mes më spektakolareve, klubi ka shumë traditë. Përse nuk duhet të fitojnë? Mendoj se do t‘ia dalin". Ndër të tjera, Murinjo ka paralajmëruar të besuarit e Benitez, që mos të humbasin përqendrimin në Premiership, në momentin kur të rifillojnë ndeshjet në Kupën e Kampioneve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›