E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ronaldo mburravec Xherard, më i miri!"

Për pjesën më të madhe të specialistëve të futbollit, Kristiano Ronaldo ishte preferenca e parë në garën për çmimin e FIFA-s "Lojtari i Vitit 2008". Mesfushori i Mançester Junajted realizoi 42 gola gjatë sezonit të kaluar dhe ndihmoi skuadrën të fitonte titullin dhe Champions. Megjithatë, nuk kanë munguar as ata që nuk mendonin se portugezi ishte më i miri. Njëri prej tyre (ashtu si edhe trajneri i Shqipërisë, Ari Han) është Gus Hidink. Drejtuesi i stolit të Kombëtares ruse mendon se trajnerët dhe kapitenët e përfaqësueseve botërore u ndikuan nga stili dhe popullariteti i Ronaldos, mbi të gjitha në mediat. "Kristiano Ronaldo është një futbollist që ke qejf ta shohësh; ai argëton tifozët, gjithmonë vishet bukur dhe flokët i ka të rregulluar. Por, vlerësimi si ‘Lojtari i Vitit‘ vetëm se ndjek modën është i tepruar", tha Hidink. Si kandidat i fortë shihej edhe Lionel Mesi, pas paraqitjeve në gjysmën e dytë të sezonit me Barcelonën dhe medaljes së artë me Argjentinën në Olimpiadë. Ndërkohë, si alternativë ishte edhe Fernando Torres, pas debutimit të shkëlqyer te Liverpuli. Gjithsesi, Hidink mendon se çmimin e meritonte Stiven Xherard: "Preferenca ime është Xherard. Zotëron teknikë të jashtëzakonshme, është pozicional dhe admiroj shpirtin e tij të garës dhe sjelljen në fushë. Nuk ekziston asnjë lojtar tjetër në botë që i ka të gjitha këto cilësi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›