E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, sot firmos Grami, “blindohet” Vujadinoviç

SHKRUAN: Jeton Selimi 22-08-2011 10:37

Lëvizjet e fundit në kampin kuqeblu me objektivin për të qëndruar sa më pranë zonës së Kupave të Europës deri në merkaton e janarit. Mirel Josa ka kërkuar edhe një mesfushor si përforcim të fundit

Dorëheqja e Valter Fushajt, kërkesa e të cilit për shndërrim të klubit kuqeblu në sh.a dhe me aksione të konfirmuara nuk u përfill nga Bashkia e Shkodrës, dukej se tronditi fort ëndrrat e tifozëve shkodranë për një kampionat po aq të mirë sa edhe ai i sezonit të fundit. Por miqësorja e fituar 3-1 me Skënderbeun duket se ka bërë që shpresat e Vllaznisë të mos shuhen tërësisht. Natyrisht që vendi i parë mund të quhet diçka e ekzagjeruar parë rrethanat, por shkodranët kanë në dorë një skuadër të mirë kolauduar. Josa pa të mposhtë me lehtësi Kastriotin, një nga skuadrat që e ka shndërruar merkaton në një lojë duke afruar emra si Parid Xhihani, Sebino Plaku, Bledar Devolli apo Jetmir Sefa, por më shumë sesa numri i golave, ka qenë loja e bukur dhe e saktë e kuqebluve të tij ajo që e ka ekzaltuar më shumë trajnerin kryeqytetas. Megjithatë, merkato në Shkodër nuk është mbyllur dhe zëdhënësi Gjergj Kola konfirmon se ditën e sotme do të firmoë Elton Grami, një mbrojtës i kërkuar me insistim nga Josa, si dhe pritet ardhja e një mesfushori. “Elton Grami do të firmosë nesër (sot) me Vllazninë. Gjithashtu, trajneri Josa ka kërkuar edhe ardhjen e një mesfushori dhe po sheh me kujdes përqark për të gjetur emrin e duhur për skemat e tij,” ka konfirmuar Kola, që më pas shton se në Shkodër janë optimistë, pavarësisht trazirave të ditëve të fundit në presidencën kuqeblu. “Fitorja me Kastriotin e ka ngrohur shumë klubin tonë. Siç dihet, Kastrioti është një nga skuadrat që ka bërë më shumë blerje dhe me elementë cilësorë dhe mënyra e lojës e ka kënaqur shumë trajnerin Josa,” deklaron për gazetën zëdhënësi kuqeblu.

Objektivat e Vllazninë

Është padyshim çështja më e nxehtë mes tifozëve të Vllaznisë. Skuadra shkodrane kreu një kampionat për t’u mbajtur mend, sidomos pas fazës së dytë dhe zhvilloi lojëra shumë të bukura në Europa League, ku nëse do të kishte pas pak fat, do të kishte eliminuar edhe zviceranët e Thunit. Sidoqoftë, financat janë të garantuara deri në janar dhe këtë e konfirmon qëndrimi i të gjithë elementëve të skuadrës, sidomos i portierit Miroslav Vujadinoviç, një prej pikave më të forta të kësaj skuadre. Vujadinoviç është elementi më i paguar në skuadrën shkodrane dhe pak ditë më parë ai ka marrë një këst të majmë, duke vijuar qëndrimin e tij me shkodranët. Ai cilësohet si një nga portierët më të mirë në superligë, ndaj Josa kërkonte me ngulm që të mos humbiste shërbimet e tij. Bashkia, e cila ka mundur të sigurojë financa mes biznesmenëve të ndryshëm në Shkodër, ka garantuar lojtarët dhe trajnerin Josa se deri në janar financat do të jetë të sigurta. Gjithashtu, janë vendosur edhe objektivat e fazës së parë. Vllaznia duhet të garantojë qëndrimin në zonën e Europës, ose sa më afër saj, pasi në momentin që do të kthehet në sh.a, aksionerët të kenë arsye për t’u afruar dhe për të investuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›