E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valdano nuk e humbet rastin:Murinjo turpëroi Realin!

Ish-drejtori i Los Blancos, i larguar nga presidenti Perez me kërkesë të trajnerit portugez, analizon situatën mes madrilenëve dhe katalanasve

Valdano, i cili si futbollist i Realit ka fituar tre tituj në La Liga, ka kritikuar trajnerin aktual të Los Blancos. Murinjo u përfshi në zënkën masive në finalen e Superkupës së Spanjës që u luajt në “Camp Nou” dhe nuk ngurroi t’i fuste gishtin në sy asistentit të Pep Guardiolas, Tito Vilanovas.

Incidenti menjëherë pasi përforcimi i ri i gjigantit katalan, Çesc Fabregas (i joshur gjatë edhe nga Reali por që preferoi blaugranat) pësoi një ndërhyrje të ashpër nga mbrojtësi i majtë madrilen, Marselo, i cili u përjashtua nga loja me karton të kuq. Përveç kacafytjeve mes futbollistë të të dyja skuadrave, Murinjo nuk ngurroi të bënte lajmin më të madh të asaj dite duke ngacmuar Tito Vilanovan. Pas ndeshjes, portugezi vijoi lojën e tij duke thënë se nuk e njeh Vilanovën. Murinjo dhe Valdano kishin mosmarrëveshje vitin e kaluar, ndërsa ky i fundit besohej se u largua nga detyra pikërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit me strategun portugez, që kërkonte fuqi të plotë në Casa Blanca. “Të themi se ajo që ndodhi nuk është se e nderon Real Madridin ose Murinjon”, tha Valdano për ADN Deportes. “Jam i bindur se askush nuk është krenar me atë që ndodhi. Murinjo erdhi në një klub me 109 vjet histori dhe sigurisht se ai përfaqëson një klub me kulturë shumë të fuqishme. Ajo që ndodhi në ato momente të tensionit mes Real Madridit dhe Barcelonës është aq e ulët, sa që të gjithë u përfshinë nga presioni”, shtoi ai. Valdano pranoi se nga të gjithë përforcimet e Barcelonës gjatë këtij afati kalimtar të verës, ai është impresionuar nga sulmuesi Aleksis Sançez, i ardhur nga Udineze. “Ai është shumë i shpejtë, e rikuperon topin me lehtësi, që nuk është e zakonshme për një futbollist të rolit së tij. Mendoj se edhe ardhja e Çesk Fabregasit do të jetë shumë e rëndësishme për Barçën”, përfundoi Valdano. Kritikat nga Valdano nuk janë të vetmet që mori Murinjo për veprimet e tij në ndeshjen e dytë të Superkupës kundër Barcelonës. Qendërmbrojtësi katalan, Zherard Pike dhe mesfushori Ksavi e akuzuan portugezin se është duke shkatërruar futbollin spanjoll dhe duke dëmtuar imazhin e Real Madridit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›