Murinjo polemika në Moske: Fusha nuk më pëlqen
MOSKE- Nuk ka nisur në mënyrën më të mirë ndeshja e kthimit me CSKA Moskën për Interin e Murinjos, që vjen me avantazhin e fitores 1-0 në shtëpi. Për të rritur problemet e teknikut ka menduar Sullej Muntari, që gjatë mini-ndeshjes së kontrollit në stadiumin “Luzhniki”, ka patur një kontrast të fortë me Uesli Shnajder, i cili rrezikon të mos jetë në fushë në takimin e së martës. Ganezi e ka goditur organizatorin zikaltër në kaviljen e djathtë, ku Shnajder mori një goditje edhe në ndeshjen e parë ndaj rusëve. Menjëherë pas kësaj ai ndërpreu stërvitjen, duke u kthyer në dhomat e zhveshjes me një këpucë të vetme. Murinjo deklaroi në konferencën për shtyp se shpreson që holandezi të luajë, ndërsa deklaroi hapur se nuk i pëlqen që luhet në një fushë me bar artificial. “Fusha nuk më pëlqen, por nuk është se më shqetëson shumë”, tha Murinjo. – Nuk e di nëse përbën avantazh, por përderisa 31 skuadrat e tjera luajtën në bar natyral, mendoj se ato kanë të drejtë”. Në lidhje me kundërshtarin, portugezi deklaroi se pret një CSKA që të kërkojë fitoren nga fillimi në fund. “është një ndeshje ku rusët do të mundohen të bëjnë gjithçka për të përmbysur rezultatin, që nuk është aq i thellë”, u shpreh trajneri zikaltër. Për Interin rikthehen Lusio e Tiago Mota që ishin të pezulluar, ndërsa në skuadër është përfshirë edhe Mario Baloteli. Një tjetër akuzë e ardhur nga Murinjo ishte për faktin se CSKA-ja nuk luajti të shtunën kundër Zenitit. “Ata bënë si Milani në Itali, ndryshuan kalendarët, por mund të kishin thënë të vërtetën dhe jo të gjenin një justifikim kaq të trishtueshëm”, tha trajneri i Interit. Në rast kualifikimi, skuadra e Murinjos do të ndeshet në gjysmëfinale me fituesen e çiftit Barcelona-Arsenal.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)