E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muriqi do të bëhet kampion

Chelo Betancourt Marcano, trajner i Elvir Muriqit, beson se boksieri kosovar i ka të gjitha mundësitë dhe potencialin të shpallet kampion bote në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin IBF. Marcano, i cili në të kaluarën ishte boksier, në karrierën e tij si trajner, përpos Muriqit ka stërvitur boksierë të famshëm botërorë.

Ai ka dhënë një intervistë për ueb faqen KosovaBoxing.org, ku përpos eksperiencave të ndryshme që kishte në jetë, e ka përmendur edhe punën që po e bën me 30-vjeçarin nga Kosova, të cilin e vlerëson lart.

“Unë kam punuar me shumë boksierë dhe secili prej tyre ka veçoritë e veta, ka diçka speciale. Nga fillimi i karrierës së tij, unë kisha një ndjenjë speciale për Muriqin. E dua si një vëlla timin të vogël. Nganjëherë, kur e këshilloj për diçka, unë e thërras atë vëlla. Elviri ka potencial të madh. Ai mund të bëhet kampion i botës, unë garantoj për këtë”, është shprehur Marcano për Kosovaboxing.org.

Trajneri i Muriqit nuk e ka fshehur simpatinë që ka për “Kosova Kid”, për të cilin thotë se për të arritur deri te titulli i botës, mund ta ndihmojë eksperienca.

“Ai tash ka eksperiencë të madhe dhe punon shumë për ta arritur atë që do, ka zemër të madhe. Ai thjesht duhet të punojë dhe mos të ngutet, të fokusohet në ushtrime dhe ta presë rastin. Shpejt, ëndrra e tij do të bëhet realitet. Kosova për herë të parë do ta ketë kampionin e vet botëror”, tha në fund Chelo Betancourt Marcano.

Elvir Muriqi (36 fitore e 5 humbje, 22 me nokaut) ishte pranë titullit të kampionit botëror në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin IBF, por ishte mundur nga Antonio Tarveri. Ndërkohë, në ndeshjen eliminatore për titullin botëror, boksieri kosovar kishte dështuar në përballje me anglezin Clinton Woods.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›