E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muriqi i kërkon revansh Tarverit

Elvir Muriqi i ka kërkuar sërish revansh kampionit të ri të botës në versionin IBF, në kategorinë gjysmë të rëndë, Antonio Tarver. Të dy boksierët u përballën në qershorin e vitit të kaluar, kur Tarver, i njohur me nofkën "Magic Man", fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve. Rezultati është kundërshtuar fuqishëm nga "Kosovo Kid", i cili ka treguar zemërimin e tij si menjëherë pas sfidës, ashtu edhe nëpër media, duke "shigjetuar" kundërshtarin. Tashmë, Muriqi dëshiron ta sfidojë sërish boksierin amerikan, duke qenë i bindur se ai ishte fituesi i vërtetë i meçit të parë. "Sinqerisht mendoj se e kam fituar përballjen kundër Tarverit dhe nëse do të hipja sërish në ring me atë, do ta ndalja", tha 28-vjeçari për faqen elektronike "eastsideboxing.com". Muriqi nuk ishte i impresionuar as me fitoren e javës së kaluar të Tarverit ndaj Klinton Uds, që i siguroi 39-vjeçarit brezin e kampionit në versionin IBF. "Tarver dukej i njëjti boksier, u ndesh njësoj si në sfidën kundër meje, por mund të them se Uds praktikisht ia fali fitoren", këmbënguli Muriqi. "Uds u paraqit shumë dobët në të gjitha pikëpamjet në përballjen me Tarverin. Tarver ishte i rraskapitur, por Uds nuk po e shfrytëzonte këtë avantazh që kishte", theksoi kosovari. Ndërkohë, edhe vetë autorët e shkrimit në sajtin "eastsideboxing.com", citonin se "përfundimisht është e vërtetë që Muriqi është paraqitur shumë mirë kundër Tarverit dhe ishte një luftë më e barabartë në krahasim me Uds", prandaj është e qartë arsyeja përse Muriqi kërkon një revansh. Megjithatë, "Kosovo Kid" së pari duhet të përballet me Omar Sheika, në meçin që do të zhvillohet më 9 maj në Nju Xhersi. Pritet që kjo sfidë të jetë shumë interesante, pasi edhe Sheika, 31 vjeç, ka pasur një karrierë të gjatë (27 fitore, 18 me nokaut dhe 8 humbje) dhe është përfshirë në shumë "beteja", duke humbur vetëm përballë emrave të mëdhenj të boksit botëror

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›