E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studenti bëhet ushtar me pahir dhe dhunohet në polici

Një oficer i policisë gjyqësore të Fierit denoncon incidentin e ndodhur mes kolegëve dhe djalit të tij student. Pëllumb Rustaj, oficeri i policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Fierit, me më shumë se 30 vjet punë në radhët e Policisë së Shtetit, ka treguar për gazetën se djali i tij jo vetëm që është marrë forcërisht për ushtar, por edhe është dhunuar në mjediset e Komisariatit të Policisë së Fierit. Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e datës 12 prill, kur Redi Rustaj, student i vitit të dytë për Stomatologji në Universitetin jopublik "UFO" është futur me forcë në një furgon të policisë dhe është dërguar në mjediset e komisariatit. Pëllumb Rustaj tregon se djali i tij 21 vjeç është rrahur në mjediset e policisë. "Ka shenja të dukshme dhune edhe sot pas pesë ditësh. Ato janë në krah, dorë dhe fyt. E ka rrahur shefi i policisë së rendit në Fier. Madje, pas 11 orësh në izolim, shefi i rendit ka urdhëruar në mënyrë të kundërligjshme furgonin e policisë që ishte në shërbim të transportonte djalin drejt bazës ushtarake të Bonavisë", thotë oficeri i policisë gjyqësore. Ai shton se për tri ditë familja e tij ka qenë nën tension, pasi nuk kishin asnjë informacion për vendndodhjen e djalit. Vetëm pas tri ditësh, Redi Rustaj ka telefonuar nga baza ushtarake me telefonin e një ushtari tjetër dhe i ati është nisur për në Bonavi me librezën e studentit në dorë, duke arritur ta nxjerrë djalin nga karantina. Oficeri i policisë gjyqësore denoncon publikisht shefin e rendit, Nexhi Dautaj, i cili ka përdorur dhunë ndaj të birit, si edhe degën ushtarake të Fierit, që nuk ka kërkuar asnjë informacion për të rekrutuarit me forcë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›