E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhet kriza, presidenti pajton Pangon dhe Duken

Zgjidhet kriza në futbollin shqiptar. Takimi i organizuar nga Presidenti Bamir Topi me ministrin e Sporteve, Ylli Pango, dhe presidentin e FSHF-së, Armand Duka, solli frytet e tij. Pas një bisede njëorëshe me kreun e shtetit, palët në konflikt ranë dakord që të sheshonin kontradiktat për të mirën e sportit më popullor në vend: firmosjen e statutit sipas përfundimeve të FIFA-s dhe UEFA-s, në versionin origjinal si është miratuar në Asamblenë e Zakonshme të zhvilluar në qershor 2007, ku neni 53 (ai që lejon federatën të jetë pronare e të gjitha përfitimeve nga të drejtat televizive apo sponsorizimet e ndryshme) të jetë "i ngrirë". Duka është shprehur optimist për këtë arritje: "Besoj, madje jam i bindur që kemi gjetur zgjidhjen, e cila konsiston në firmosjen e statutit nga ana e ministrit Pango dhe regjistrimin e këtij statuti nga ana e Federatës. Edhe me miratimin e FIFA-s, FSHF-ja do të ngrijë nenin 53, për të cilën ka vërejtje shteti. Do të ngrihet një grup i përbashkët pune, që do të përpiqet të gjejë një zgjidhje të pranueshme për nenin në fjalë, ku do të japë ndihmesën e vet edhe FIFA e UEFA dhe shpresoj se shumë shpejt do të hiqet pezullimi nga arena ndërkombëtare". Disi më i prerë ministri Pango, që pas daljes nga presidenca e ka cilësuar marrëveshjen si një "triumf" personal. "Do t‘u them vetëm pak fjalë, por dëshiroj të mi riprodhoni saktësisht. U realizua ajo që kam kërkuar qysh më datën 20 shkurt 2008, kur kam nënshkruar statutin e FSHF-së, me përjashtim të nenit 53. FIFA ra dakord, po ashtu sikundër edhe presidenti, që ky nen antiligjor të ngrijë dhe statuti të jetë i firmosur, siç e kam firmosur, më 20 shkurt, më përjashtim të këtij neni 53", tha prerë ai, duke konfirmuar se neni që shërbeu si burim konflikti do të ndryshohet me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë. "Kur do ta mbrojë punën ky grup? Besoj se shumë shpejt. Thelbi është ky, UEFA dhe FIFA ranë dakord që ky nen nuk është i përshtatshëm. Besoj se jeni të qartë".

Megjithatë, ajo që nuk tregoi ministri Pango ishte se marrëveshja është arritur duke u bazuar në mënyrë strikte në propozimet e bëra nga FIFA dhe UEFA, gjatë një bisede që daton më 14 prill. Ishte pikërisht kreu i MTKRS-së ai që ka pranuar zgjidhjen e ndërkombëtarëve dhe një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Presidenti Topi, i cili ka bindur Pangon të pranojë zgjidhjen. Kjo ishte e vetmja mënyrë që Shqipëria të mos përjashtohej. Madje, Pango nuk ka përmendur më as organizimin e Asamblesë për ndryshimin e nenit 53, ku dukej e paevitueshme se do të tentohej edhe një votëbesim i Dukës. Propozimet e dy organizmave konfirmohen në një faks të datës 15 prill: "FIFA dhe UEFA propozoi zgjidhjet si vijojnë: Statuti i ri i FSHF-së do të firmoset nga ministri Pango në versionin origjinal të miratuar në Asamblenë e Zakonshme të qershorit 2007, që më parë ishte miratuar nga FIFA dhe UEFA. Ai do të regjistrohet në version të pandryshuar, ndërsa neni 53 do të pezullohet deri në organizimin e një grupi pune, që do të shqyrtojë alternativat për të. Sapo të merret konfirmimi për regjistrimin e statutit të ri në Gjykatën e Tiranës, FIFA dhe UEFA do të mbledhin organizmat përkatëse për të filluar procedurat për heqjen e pezullimit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›