“Murosen” në urën e aksit Kukës-Morin edhe dy punonjës
KUKËS – Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës ka marrë edhe dy jetë të tjera. Ditën e djeshme ka ndodhur një aksident me pasojë dy të vdekur në aksin ku po kryhen punime. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy punonjësit e firmës “Albulex” humbën jetën dje pasdite rreth orës 15.30 teksa po punonin për vendosjen e strukturave të betonta në një prej urave të rrugës nga Kalimashi në drejtim të Kukësit. Sipas tyre, viktimat janë Arben Muçmata nga fshati Shtigjën i Kukësit dhe Branko Shvetskoski, nga Maqedonia. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur Ura e Kolshit. Menjëherë pas ngjarjes ka mbërritur policia dhe ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
Aksidenti
Arben Muçmata dhe shtetasi maqedonas Branko Shvetskoski pasditen e djeshme po punonin për vendosjen e konstruksioneve të betonta në njërën nga urat e rrugës. Por në një moment, është zhvendosur krahut i vinçit që po transportonte ngarkesat. Pas shkëputjes së krahut, punëtorët kanë rënë nga ura nga një lartësi prej 40 metrash. Rrëzimi i tyre ka qenë fatal. Për pasojë gjetën vdekjen dy punonjësit e firmës, Arben Muçmata, 38 vjeç nga Shtigjen i Kukësit, ndërsa shtetasi nga Maqedonia quhet Branko Shvetskoski, 49 vjec, lindur dhe banues në komunën Delcevo, në vendin fqinj. Dje pasdite trupi i pajetë i Muçmatës është dërguar pranë të afërmve, menjëherë sapo ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore. Sot pritet të bëhet ceremonia e varrimit. Ndërsa trupi i maqedonasit Branko Shvetskoski ndodhet në morgun e spitalit të Kukësit.
Hetimi
Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Ali Elezi tha se janë shoqëruar për në polici drejtuesit e firmës “Albulex”. Nga të dhënat e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur si shkak i mosrespektimit të rregullave të sigurisë. Por, pritet që të merren dëshmitë e punonjësve të pranishëm në vendin e aksidentit dhe më pas të nisin procedurat e tjera hetimore.
Aksidenti i ndodhur gjatë punimeve të ndërtimit të aksit Durrës-Kukës nuk është rasti i parë. Para një viti janë plagosur katër punëtorë në një aksident të ndodhur në thellësi të tunelit të Thirrës si pasojë e rrëshqitjes së dheut brenda në tunel. Një nga punëtorët e plagosur ishte shqiptar edhe tre të tjerët ishin shtetas turq, të punësuar në kompaninë Enka.
24 Nentor 2009