Murphy: Dikush po bën lojë politike me trashëgiminë kulturore

Ai i bëri këto komente të hënën gjatë inaugurimit të objektit të renovuar në kishën e Shën Nikollës në Prishtinë, më ç’rast tha se marrëveshje të tilla SHBA-të kanë nënshkruar edhe me shumë vende të botës.
Murphy duke iu përgjigjur deklarimeve të ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, nënkupton falsifikimin e trashëgimisë serbe në Kosovë, Murphy ka thënë se është për të ardhur keq se si dikush ka zgjedhë që të bëjë lojë politike me trashëgiminë kulturore.
“Na vjen keqardhje dhe po ashtu është pak edhe cinike, që dikush ka zgjedh që të bëjë lojë politike me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, pa marrë parasysh prej nga vijnë ato dhe me gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në ruajtjen e kësaj trashëgimie kulturore. Është po ashtu për keqardhje, që dikush marrëveshjen e nënshkruar, e konsideron si falsifikim ose vjedhje të trashëgimisë, ne dëshirojmë të ruajmë si kulturën shqiptare, si hebreje, si krishtere, çdo trashëgimi kudo në botë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se marrëveshje të tilla Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar edhe me 24 shtete anekënd botës, përfshirë këtu Serbinë.
Sipas Murphyt, kjo është koha kur të gjithë të krishterët anekënd botës, pa marrë parasysh çfarë prejardhje kanë, a janë katolikë, ortodoksë, apo protestantë, festojnë lindjen e Krishtit, i cili ka sjellë një porosi të gëzimit, të tolerancës dhe të shpresës.
Ai u shpreh shumë i kënaqur me rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë luajtur në ruajtjen e monumenteve të ndryshme ortodokse serbe, përfshirë Graçanicën, Deçanin, Pejën dhe monumentet tjera.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomiq, i cili nuk u prononcua për mediat.
Për më tepër, në kishën Shën Nikolla të Prishtinës, USAID-i amerikan ka investuar në krijimin e hapësirave sa më të përshtatshme për fëmijët, duke sjellë edhe lodra për ta./kp/