E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Forumin Rinor shtyhen për në mot

Formimi i dy forumeve rinore të LDK’së, në Gjakovë dhe Podujevë, ka ndikuar në shtyrjen e Kuvendi Zgjedhor, i paraparë të mbahet të dielën. Tash, askush nuk e di se kur do të mbahen zgjedhjet në këtë forum.

Pas Podujevës, edhe në Gjakovë janë formuar dy forume rinore të LDK’së, të cilat kanë ndikuar në shtyrjen e Kuvendit të Përgjithshëm Zgjedhor.

Kryetari i njërit forum në Gjakovë, Ardian Mehmetaj thotë se e kanë pasur si datë orientuese 18 dhjetorin për mbajtjen e Kuvendit, po situata ka ndryshuar kur janë krijuar forume paralele.

Mehmeti, i cili është anëtar i Kryesisë së Forumit në Qendër, thotë se me insistimin e tij, data e Kuvendit Zgjedhor është ndryshuar.

“Data 18 dhjetor ka qenë datë orientuese për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të Forumit Rinor të LDK’së, por me këmbënguljen e disa anëtarëve të Kryesisë, faktikisht prej këmbënguljes sime, e kemi shtyrë për një datë tjetër”, ka thënë Mehmeti për Express, të dielën.

Ai ka konfirmuar se ashtu qysh janë formuar dy degë të LDK’së në Gjakovë, e njëjta ka ndodhur edhe me organizimin rinor.

“Po, është edhe një Kryetare e Forumit të Gjakovës, e cila është zgjedhur nga Kryesia e Degës me Kuvend Paralel. Me rregullore dhe Statutin e LDK’së, ne jemi legjitimë dhe besojmë se ne do të marrim pjesë në Kuvendin Zgjedhor”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në procesin zgjedhor të Forumit Rinor të LDK’së ka pasur edhe përplasje mes përkrahësve të Fatmir Sejdiut dhe të Isa Mustafës. Në Forumin Rinor të Podujevës janë krijuar dy kryesi dhe dy kryetarë që thonë se e përfaqësojnë rininë llapjane.

Megjithëkëtë, kryetari në shkuarje i të rinjve në LDK, Xhafer Tahiri ka thënë se është duke u punuar brenda partisë për tejkalimin për të mos lejuar themelimin e themelimin e forumeve të dyta brenda degëve.

“Ne jemi duke i bërë përgatitjet që në asnjë komunë mos me të ketë dy forume se nuk ka dy forume, por është një Forum i Rinisë së LDK’së”, ka thënë Tahiri për Express.

Ai ka thënë se tash për tash, është duke u diskutuar mosha e njerëzve që do ta përfaqësojnë rinin e LDK’së, njerëzit që kanë moshën nën 26 apo nën 30-vjeçare.

Por, nuk ka dashur të tregojë nëse do të jetë kandidat për të rimarrë postin e kreut të Forumit Rinor, pasi nuk ka arritur të bëhet as delegat nga Kuvendi i të rinjve të Vushtrrisë.

Ai nuk ka treguar se çka ka ndodhur me ankesën që ka deponuar në LDK për Kuvendin e Vushtrrisë, për të cilin ka kërkuar të shpallet i pavlefshëm.

“Është punë e brendshme e LDK’së”, është përgjigjur Xhaferi, kur është pyetur për fatin e ankesës për Kuvendin e Vushtrrisë.

Ndryshe, prej udhëheqësit aktualë të të rinjve të LDK’së, përfaqësuesi i Gjakovës thotë se Kuvendi Zgjedhor do të mbahet në fillim të vitit 2012.

“Kuvendi do të mbahet pas Vitit të Ri”, ka thënë Mehmetaj.

Edhe pse me Statut, kandidaturat e pretendentëve publikohen në Kuvendin e Përgjithshëm, Express ka raportuar më herët se në LDK janë duke u përmendur gjashtë kandidatë të mundshëm për të marrë kreun e të rinjve. Ish-deputetja Njomza Emini nga Prishtina, Faton Peci i Mitrovicës, Xhafer Tahiri i Vushtrrisë, Armend Ibrahimi, Albert Kurtulaj dhe Sekretari aktual i të rinjve, Faton Hasimi, përmenden si emra që mund të maten në Kuvendin e Përgjithshëm. Zyrtarë të LDK’së kanë thënë për Express se tashmë kandidatët kanë filluar lobimin për t’i bindur 355 delegatët e degëve për t`i votuar në Kuvend.

Ankesa nga Peja

Edhe në Kuvendin e Forumit Rinor të LDK’së në Pejë ka pasur ankesa për procesin zgjedhor. Një pesë e Forumit i është drejtuar LDK’së dhe Kryetarit Isa Mustafa që të ndërhyjnë dhe të mos lejojë përçarje në rininë e Pejës.

“Në këtë kuvend, ndodhi ajo që më së paku pritej të eliminohen anëtarët e LDK’së që i qëndruan besnikë kësaj partie, që sakrifikuan. Ky besim po na kthehet me tradhti e eliminim të aktivistëve më të sinqertë dhe më besnikë të LDK’së”, thuhet në Letrën e ish-FRLDK’së, Dega e Pejës.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Zëdhënësin e LDK’së, Fidan Jupolli, por ai nuk është lajmuar në telefon për të komentuar ankesat e Forumit të Pejës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›