E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Nano të jetë në listën e PS

 

Eni Vasili

Deputeti socialist Ben Blushi i ftuar në emisionin ‘Studio e hapur’ me gazetaren Eni Vasili në “Alsat”, tha se ish-kryetari socialist Fatos Nano duhet të jetë kandidat për deputet. Ai vlerëson prurjet e reja në PS, si kontribute të lëna deri dje në hije, ndërsa shprehet se në listat për deputetë ka vend për të gjithë grupin aktual parlamentar socialist. Blushi vlerëson ndryshimin që ka ndodhur në vetë lidershipin e PS-së ndërsa shprehet se kryetari i PS duhet të ketë peshë të madhe në vendimmarrjen e saj bashkë me forumet.
Sa për qind e grupit parlamentar do të rikandidohet?
Ne jemi grup parlamentar relativisht komod në këtë funksion, sepse për rrethana të caktuara ne kemi mbetur 33 deputetë. Ne synojmë të marrim 71 vende në kuvendin e ardhshëm, që do të thotë se kemi edhe rreth 40 vende bosh për të fituar. Pra, kemi një komunitet për të ekuilibruar mes atyre, që janë dhe atyre që do të vijnë. Lista e deputetëve do të marrë aprovimin kolegjial. Lista që do të vijë nga baza apo individë të ndryshëm, do konsultohen për të kaluar në filtrin e kryesisë.
Nano do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë socialistë?
Unë nuk besoj se kjo është një pyetje që më takon. Nano është një deputet i PS.
A duhet të jetë në listat e PS-së?
Nëse me pyet mua? Padyshim! Nano hyn në deputetët e PS-së dhe nëse do të ishte në dorën time do të ishte një nga kandidatët dhe deputetët, sigurisht.
Në dorën e kujt është kjo?
Kjo është në dorën e një organi kolegjial, që është kryesia socialiste dhe natyrisht në dorën e Fatos Nanos.
Në dorën e Edi Ramës?
Padyshim, kryetari i PS-së drejton kryesinë dhe ai do duhet të ketë dorën kryesore në hartimin e listës. Unë e kam debatuar dhe herë të tjera këtë pikë, se ku fillon dhe mbaron roli i kryetarit të partisë në raport me forumet e partisë si kryesia dhe asambleja. Mos harrojmë se hyjmë në zgjedhje me një sistem të ri dhe në këtë kontekst kryetari i partisë mban peshën kryesore të rezultatit të tyre si për humbjen ashtu dhe për fitoren. Për sa kohë që për shkak të traditës sonë parlamentare që po vjen duke u forcuar, lideri qoftë ai në opozitë dhe qeveri do të ketë peshën kryesore edhe në vendimmarrje. Kjo gjë është shumë normale dhe s’duhet parë si kufizim i të drejtave të anëtarëve të tjerë të partisë pa i hequr arsyen apo të drejtën për të folur.
Keni qenë ju në fakt shumë herë, që keni ashpërsuar kritikat për një lloj autokracie në drejtimin e PS nga zoti Rama. Ka ndryshuar ndonjë gjë? Ka ndryshuar zoti Rama apo ju?
Edhe kështu mund ta merrni, ka ndryshuar zoti Rama.
Po?
Pse jo!
Mund ta mendoj që keni ndryshuar ju?
Keni parasysh që ne jemi në politikë dhe politika nuk është si një marrëdhënie private. Politika ka disa rregulla dhe disa kontrata, që duhet t’i respektosh dhe sidomos duhet t’i respektosh në publik. Padyshim në momente të caktuara unë kam pasur mendime të miat për mënyrën se si janë zhvilluar gjërat në PS dhe këtë e kam bërë duke folur ose duke ikur. Dikur kam folur dikur kam ikur. Unë kam qenë kryetari i grupit parlamentar, kam ikur sepse se në një moment mendova se patëm një dështim me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Këtë dështim unë e mora përsipër dhe ika. Kështu që për sa kohë kam folur dhe kam ikur dhe jam aty, jam i qetë për të thënë çdo gjë që mendoj dhe kur e mendoj. Por besoj se koha në këto 4 vjet në opozitë ka shërbyer për të rritur kohezionin brenda PS dhe për të shkuar në një fushatë të qetë pa debatet e vjetra. Për shumë nga debatet e vjetra, siç ishte ai i para zgjedhjeve të 2005, shumë njerëz që i kanë bërë në atë kohë, janë bërë pishman që i kanë bërë në atë kohë. Ata kuptuan se debatet na çuan në humbjen e pushtetit në 2005, pra ato kanë qenë të padobishme.
Mund të themi se ju keni kontratë me Edi Ramën?
Unë nuk kam kontrata personale, unë jam anëtari i PS-së, jam një prej deputetëve të saj dhe të gjithë ne kemi një kontratë dhe një qëllim, fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit.
E majta duket se do të jetë njëlloj e ndarë si në 2005. LSI do të jetë në një tjetër koalicion nga PS. Sa mendoni se do të ndikojë në rezultat kjo ndarje?
Kishim arsye të ishim më dyshues disa muaj më parë, kur pozicioni i LSI-së ndaj PS-së ishte shumë agresiv. Ju keni parë se dy muajt e fundit gjërat kanë ndryshuar. LSI është shumë më e qetë dhe po thekson nevojën se dëshiron të bashkëpunojë me ne para ose pas zgjedhjeve, këtë nuk mund ta them. Ka ndryshuar pozicion ndaj PS duke u fokusuar si opozitarë me qeverinë dhe jo me partinë socialiste. Është shumë mirë që ka ndodhur ky ndryshim. Është tejkaluar ai acarim i disa muajve më parë dhe kjo është në avantazh të fushatës. Krahasuar me 2005 ne nuk jemi aq të ndarë në 2009.
Cili do të jetë roli i aleatëve të deklaruar deri tani PSD, PDS, G99 të PS-së në fushatë?
Aleatë. Ata do të jenë aleatët tanë në një fushatë, e cila do të jetë e koordinuar territor më territor, lagje më lagje, komunë më komunë. Është një sistem zgjedhor që të jep mundësi të kesh aleatë.
Duket se G99 do të jetë një aleate e rëndësishme e PS-së në këto zgjedhje. Nga sondazhet duket se është nga partitë më të kuotuara, si e shikoni ju këtë?
Shpresoj të jetë kështu!
Të jetë sa më e kuotuar?
Padyshim.
Ju duket se lideri i G99 ka eklipsuar në njëfarë mënyre edhe eksponentë të lartë të PS në debate televizive?
Nuk kam parë akoma ndonjë debat politik që Erion Veliaj të jetë shprehur kundër PS-së. Kur ta shoh...sigurisht që s’do më vijë mirë, por nuk besoj se kjo ka për të ndodhur.
..thashë eklipsuar, jo kundër?
Në ç’kuptim eklipsuar? Erioni i përket një partie tjetër dhe jo PS. Mua më vjen keq sepse ju flisni sikur zoti Veliaj është anëtar i kryesisë së PS-së. Nuk është kështu. Po të ishte do të ishte keq për atë. Por ai është një parti tjetër, ka kohën e vet televizive, ka karrigen apo kolltukun e vet në debate apo tavolina dhe ai merr vetëm kohën e vet në këto debate ku konsumohet politikë dhe jo kohën e PS-së.
Sipas statutit të PS-së, nëse kryetari humb zgjedhjet ai duhet të japë dorëheqjen. A mund të rizgjidhet ai?
Në qoftë se jep dorëheqjen nuk mund të rizgjidhet.
A parashikohet në statut se mund të ketë një votëbesim të tij?
Nuk i kam hyrë statutit me kaq imtësi, por ne kemi një precedent dhe precedenti është më i fortë se çdo gjë tjetër. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›