E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muslim Mulliqi në Tiranë

Po punohet rreth ekspozitës së Muslim Mulliqit, e cila do të hapet më 6 prill, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Studiues të Galerisë Kombëtare të Arteve që po punojnë për ngritjen e ekspozitës personale të piktorit Mulliqi, thonë se prezantimi i artistëve më të mirë figurativë nga Kosova në Tiranë, duhet nisur nga Mulliqi. Nga Express më 05 prill 2011 në ora 16:33

Nga krijimtaria e Mulliqit në Tiranë do të prezantohet momenti i artë njëzetvjeçar që përmbledh vitet 1970-1990. Do të ekspozohen 30 vepra, vaj mbi kanavacë, që janë dërguar nga familja Mulliqi, trashëgimtarët, gruaja dhe i biri. Ata do të shkojnë nga Prishtina për ceremoninë e hapjes, më 6 prill.

Vizitë, ekspozitës, do i bëjë edhe Fakulteti i Arteve në Prishtinë, i cili do të udhëtoj drejt Tiranës, në formë të organizuar, së bashku me punonjësit e fakultetit.
Në këtë ekspozitë, do të ekspozohen edhe dy vepra të fondit të Galerisë Kombëtare në Tiranë që Mulliqi i ka dhuruar në një nga vizitat e rralla në Shqipëri.

Në këtë periudhë, studiuesit, që sipas tyre është më e rëndësishmja, kanë parasysh që piktura e tij po hynte drejt një kërkimi të thelbit modern të motiveve e temave të hershme.

Mulliqi pat thënë se qëllimi ishte të gjente "një kuptim më të thellë të jetës, të përjetuar qysh në fëmijëri, si ka jetuar, për shembull, çka ka menduar, çka ka ndjerë ai burrë, ajo grua, që na kanë shikuar pas dritareve të mbyllura derisa ne fëmijët luanim. Pikturat e mia e kërkojnë atë njeri pas një hapësire që ka jetë të pasur të brendshme por që është e përmallur për diell dhe gjerësi".

Ai u ka dhënë studiuesve arsye që të përfytyrojnë, në vitet tridhjetë në Gjakovë, fëmijën e nëntë të familjes Mulliqi, tek vizatonte shpezë e kafshë. Më vonë ato u bënë simbole e kuptime të pasuruara me përvojë, dije e kulturë.

Muslim Mulliqi ishte dekani i parë i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Duke filluar nga viti 2003 Galeria Kombëtare e Arteve në Prishtinë jep çmimin që mban emrin “Muslim Mulliqi”.

Mulliqi do mbahet mend si refuzues i realizmit socialist. Ai u përqendrua tek ekzistencializmi i tij si artist, një mënyrë më shumë individuale sesa e mësuar nga mjeshtrit. Muslim Mulliqi kishte ardhur në Shqipëri të takohej përgjatë një muaji me kolegë dhe studentë në Institutin e Lartë të Arteve, njëherë më 1973 dhe 1978.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›