Teatri Kombëtar, udhëton drejt Francës me komedinë “Berberi i Seviljas”
Izaura Ndoj
Për një turne disa ditore komedia “Berberi i Seviljas” do të udhëtoj drejt Francës në teatrin e madh të qytetit Lorient, “Theatre de Lorient”. Para tre vitesh shfaqja “Berberi i Seviljas” me regji dhe skenografi nga Erik Vigner u realizua me një sukses në skenën e Teatrit Kombëtar. Nga data 19 prill, shfaqja, e vënë në skenë nga regjisori francez Erik Vigner, në sezonin teatror të 2007-ës, do të shfaqet për publikun francez deri në fund të muajit prill. Gjatë një konference për shty regjisori Andonis Filipi tha se, “Aktorët në këtë pjesë janë sa shqiptarë aq edhe francezë. Kjo pjesë do të vihet në gjuhën shqipe në Paris, dhe e veçanta e saj është se çdo personazh në këtë pjesë ka krijuar një karakter më vete dhe tepër të veçantë. “Jemi të sigurt se kjo pjesë do të mirëpritet nga publiku francez i cili në fakt e njeh mirë këtë vepër”- cilësoi Filipi.
Pjesa ka ardhur e interpretuar nga aktorët Luiza Xhuvani, Roland Trebicka, Helidon Fino, Neritan Liçaj, Fadil Kujovska dhe Marko Bitraku. Regjisori Vigner u mundua që në historinë e njohur të fusë edhe elementë shqiptarë, siç ishin veshjet me fustanella. Regjisori iu largua në vënien e tij skemës klasike të kësaj vepre të shkruar para Revolucionit Francez në vitin 1773. Erik Vigner e konceptoi si një ndeshje mes së bardhës dhe së zezës, e dukshme në kostumet, personazhet, dritëhijet, si dhe në skenografinë e realizuar prej tij. “Kjo komedi vjen si një teatër muzikal. Ajo shkon përtej teatrit klasik, duke përfshirë lëvizjet, muzikën, dritën dhe hijet, dhe e gjitha kjo ka qenë një frymëzim për mua”, pati thënë tri vjet më parë regjisori francez. Realizimi i këtij turneu në Francë është përmbushje e një nga objektivave kryesore për vitin 2010 të Teatrit Kombëtar, atë të promovimit të vlerave artistike si brenda dhe jashtë kufijve si dhe shkëmbimeve kulturore mes teatrove evropianë. Ky turne vijon eksperiencën workshop të dy regjisorëve fitues të Festivalit të Rinjve 2009-2008 në Saint – Ettien të Francës në shkurt-mars 2010, ku Alma Hoti dhe Erion Hinaj në bashkëpunim vunë në skenë premierën e Carole Frechette “La piece au fond de l’escalier”. Ky shkëmbim eksperiencash është i pari projekt në kuadër të anëtarësimit të Teatrit Kombëtar në Unionin Evropian Teatror. Projekti i dytë nën siglën e ETC është pjesëmarrja e trupës së Teatrit Kombëtar me shfaqjen “Alegreto Albania” në festivalin prestigjioz të Visbaden-Gjermani. Ky aktivitet është festivali i dramaturgjive kombëtare, ish Bienale e Bonit, që drejtohet nga shkrimtari mirënjohur Tankred Dorts dhe regjisori Manfred Beilharz dhe mbahet në qershor 2010. Për trupën e Teatrit Kombëtar, të përfaqësuar me komedinë serioze të Stefan Çapalikut “Alegreto Albania”, me regjisor Altin Basha janë planifikuar dy shfaqje në datat 23 dhe 24 qershor. Një nga projektet e tjera prioritare për vitin 2010 është edhe bashkëpunimi me teatrot kombëtarë të rajonit si me atë të Teatrit Kombëtar të Veriut të Greqisë, me teatrin e Selanikut si dhe atë të Podgoricës. Kështu me Teatrin Kombëtar të Selanikut është rënë dakord në parim për një paketë projektesh dhe objektivash si; Shkëmbimi i premierave, shkëmbimi i artistëve, shkëmbimi i dramaturgjisë (5 vepra shqiptare të përkthehen në gjuhën greke për t’u vënë në teatrot grekë si dhe pesë vepra greke të përkthehen në gjuhën shqipe, duke qenë prioritar realizimi i tyre në teatrot shqiptarë. Si hap i parë i këtij shkëmbimi do të jetë turneu i tragjedisë “Elektra” në mes të muajit tetor me disa shfaqje të programuara në Teatrin Kombëtar të Selanikut. Ky është vija e përgjithshme e kalendarit artistik të turneve dhe shkëmbimit të eksperiencave ndërkombëtare të Teatrit Kombëtar për vitin 2010. Natyrisht, edhe këtë vit TK do të marrë pjesë në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare që do të mbahen në Shqipëri dhe Kosovë. Komedia “Berberi i Seviljes” provoi të shfaqej edhe në skenën e Butrintit, në kuadrin e festivalit të përvitshëm teatror e po ashtu është shfaqur në festivalin “KosovaInfest”.
Shkrimtari Fatos Kongoli, “Qytetar Nderi” i Elbasanit
Shkrimtari Fatos Kongoli u shpall dje "Qytetar Nderi" i qytetit të Elbasanit. Në një ceremoni ku merrnin pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, intelektualë, shkrimtarë e të njohur iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi” nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini. Shkrimtari Fatos Kongoli e cilësoi si një nga ditët më prekëse dhe më të veçantat në jetën e tij, si një titull që i jep vendi i tij i lindjes dhe i origjinës, Elbasani.
"Kam marrë shumë çmime që kanë qenë momente gëzimi për mua, kam pasur kënaqësi që librat e mi janë botuar dhe vlerësuar dhe jashtë Shqipërisë. Por kënaqësia dhe emocioni që ndjej sot në Elbasan me titullin "Qytetar Nderi" është e pakrahasueshme" tha Kongoli. Fatos Kongoli lindi në vitin 1944, në Elbasan. Ai njihet si një nga figurat kryesore dhe përfaqsuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Kongoli ka studiuar matematikë në Kinë. Pjesën më të madhe të jetës së tij ja përkushtoi matematikës, ndërsa në vitet 90të, pas-diktaturës, nisi botimin e romaneve të tij, të cilat kanë marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Kongoli është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë, i çmimit Velia (2000), si dhe fitues i çmimit ndërkombëtar "Balkanika", 2002. Në vitin 2004 është shpallur fitues i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri "Penda e Artë". Disa nga romanet e tij janë: "Lëkura e qenit", "Bolero në Vilën e Pleqve", "Jetë në kuti të shkrepëses", "Tek porta e Shën Pjetrit", "Dragoi i Fildishtë", "Ëndra e Damokleut", "Ne të tre", "I Humburi".
16 Prill 2010