E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, hiqen reklamat e subjekteve debitore

ELBASAN- Këto ditë, bashkia e Elbasanit ndërmori një aksion për heqjen e reklamave të subjekteve që nuk kanë lidhur kontratën me bashkinë për vitin 2010 apo që nuk kanë paguar detyrimet financiare për vitin që shkoi. "Me gjithë njoftimet e ripërsëritura nga ana jonë pranë sporteleve të Tatim-Taksave, asnjë prej këtyre subjekteve nuk u paraqit për shlyerjen e detyrimeve financiare. Në këto kushte, Drejtoria e Tatim-Taksave pranë bashkisë, në bashkëpunim me policinë bashkiake, Inspektoratin Ndërtimor dhe Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike, hoqi në disa pjesë të qytetit, disa reklama të kompanive të mëdha. Ky aksion do të vazhdojë dhe në ditët e ardhshme", - konfirmojnë burimet zyrtare të bashkisë. Mësohet se mes reklamave të hequra, janë dhe 6 reklama të përmasave të mëdha që ndodheshin në mjediset e dukshme të qytetit të Elbasanit. Sipas kryebashkiakut Qazim Sejdini, "nëpërmjet këtij aksioni, kërkojmë t'u tërheqim vëmendjen subjekteve të mëdha e të vegjël, që të nxitojnë të lidhin kontratat e tyre për vitin 2010, në të kundërtën, do të jemi shumë të vendosur në respektimin e legjislacionit në fuqi".
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›