E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafa: Kërkojmë përgjegjësi nga kryeministri

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se dje u është bërë e qartë shteteve të Quintit se zgjedhjet serbe nuk duhet të mbahen në Kosovë, duke i dhënë mbështetje Qeverisë së vendit për të ndaluar mbajtjen e tyre. Ndërkohë duke folur për mundësin e bisedimeve për veriun, ai ka thënë se nuk do të bisedohet me Serbinë për veriun e Kosovës.

Ai këto deklarata i bëri gjatë përurimit të fillimit të punimeve në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishitnë.

Lideri i LDK-së, Mustafa ka thënë se është kërkuar edhe përgjegjësi nga ekzekutivi i vendit për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Ne dje kemi marr qëndrim, qëndrim unanim edhe pozita edhe opozita, në takimin që kemi pas me shtet e Quintit. E kemi bërë të qartë se nuk do të lejojmë që të mbahen zgjedhjet, sepse ajo është një shkelje e integritetit territorial të vendit tonë edhe sovranitetit të vendit. Dhe po ashtu kemi kërkuar përgjegjësi edhe nga kryeministri Thaçi dhe nga qeveria që të ndërmarrin masat për me penguar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, i pyetur për mundësin e hapjes së bisedimeve për veriun e Kosovës, Mustafa ka thënë se nuk ka bisedime për veriun e Kosovës me Serbinë, ndërsa ka shtuar se qytetarët e asaj pjese mund të bisedohet.

“Për ne nuk ka bisedime për veriun e Kosovës. Ne mund të zhvillojmë dialog me gjithë qytetarët e vendit, edhe me serbët edhe në veri edhe në jug, por jo me Serbinë për veriun e Kosovës, sepse veriu i Kosovës është rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i përket sovranitetit të vendit. Nuk mund të rregullohet ndryshe veriu i Kosovës nga rregullimi në komuna tjera. Maksimumi i cili mund të realizohet për veriun është ajo çka vjen si rezultat i pakos së Ahtisarit”, ka deklaruar Mustafa.

Gjatë ditë së djeshme, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, para deputetëve, ka thënë se nëse ndryshohen kufijtë atëherë shqiptarët më së miri mund të jetojnë në një shtet të vetëm. I pyetur për këtë deklaratë, Mustafa ka thënë se nuk e ka dëgjuar duke shtuar se nuk e sheh mundësinë e ndryshimit të kufijve.

“Nuk e kam dëgjuar deklaratën. Nuk e di si e ka paramenduar zotëri Thaçi atë, por unë nuk shoh asnjë mundësi që të ndryshohen kufijtë e Kosovës. Ne tash po e ndërtojmë shtetin tonë dhe po angazhohemi që Kosovën të ndërtojmë si shtet në kufijtë që i ka Kosova të përcaktuar me kushtetutë”, ka theksuar ai.

Gjatë ditës së djeshme liderët e vendit kanë zhvilluar një takim me ambasadorët e shteteve të Quintit, për tua shprehur edhe njëherë qëndrimin e tyre kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›