Mustafa: Këto zgjedhje pa legjitimitet për institucione afatgjate
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, në ditën e parë të fushatës parazgjedhore në Mitrovicë, ka thënë se institucionet e dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit do të jenë afatshkurtra, pasi sipas tij, procesi zgjedhor ishte i manipuluar.
Ai, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, të mërkurën, ka bashkëbiseduar me banorët e lagjeve 7 shtatori, Lugina e Ibrit, lokalitetet matanë Ibrit, Shupkovc etj., prej të cilëve ka kërkuar edhe njëherë besimin për LDK-në, si subjekt që ka punuar dhe punon për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit.
“Fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve janë qytetarët që kryen obligimin qytetar, ndërsa ata që morën numrat janë humbësit, pasi shumë shpejt do të ballafaqohen me dënimin për zgjedhje të reja”, ka thënë Mustafa, duke kërkuar votën për njerëzit që do t’i përfaqësojnë denjësisht interesat e qytetarëve.
Sipas tij, me daljen në votim, mitrovicasit mund të ndihmojnë që Mitrovica të jetë “qyteti i vetëm me zgjedhje të drejta”.
“Këto zgjedhje nuk kanë legjitimitet për institucione afatgjate, pasi ato nuk bazohen në vota të qytetarëve, por në numërim, manipulime dhe lëshimet tjera në votime”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se këto institucione që dalin duhet të jenë afatshkurtër dhe sa për të përgatitur zgjedhjet e reja.
Ai vuri në pah se LDK-ja do të punojë në realizimin e programit që është vazhdimësi e programit të kohës kur kjo parti drejtohej nga presidenti Ibrahim Rugova.
Në këtë tubim foli edhe kryetari i kësaj partie në Mitrovicë, njëherësh kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës, Sadri Ferati, i cili mes tjerash potencoi se me LDK-në Mitrovica do të ketë zhvillim falë programit të veçantë që ka kjo parti për Mitrovicën dhe mitrovicasit. /kosovapress/