LDK kundër memorandumit FSK-PK

“LDK-ja mbetet e konceptit që kontrolli civil i forcave të armatosura është parim themelor i demokracisë dhe çfarëdo tendence për ndryshim të këtij nocioni bie ndesh me vlerat dhe parimet demokratike”, thuhet në komunikatë.
Sipas LDK, rendi kushtetues dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës rregullojnë në mënyrë eksplicite funksionimin e shtetit, ndarjen e pushteteve dhe obligimet e ministrive dhe agjencive ekzekutive, si dhe bashkëpunimin e tyre reciprok, ndaj ndërhyrjet ad-hoc dhe me memorandume të tilla janë krejtësisht antikushtetuese dhe të panevojshme.
“Qëndrimi i LDK-së mbetet ai i ndarjes së pushteteve; ku Forca e Sigurisë e Kosovës duhet sa më shpejt të bëhet Ushtri e Kosovës me rol dhe mandat ushtarak dhe kontribuues në Partneritetin për Paqe dhe pjesë përbërëse e Aleancës Veri-Atlantike”.
Në fund LDK shton se Ministria e Punëve të Brendshme, në anën tjetër, duhet të ushtrojë mandatin e saj kushtetues nëpërmjet menaxhimit civil të policisë dhe emergjencave civile dhe natyrore, veçmas kur në resurse numëron mbi 8000 pjesëtarë policie.