Mustafa: Sdo ketë shtyrje të afatit të zgjedhjeve
Isa Mustafa
PRISHTINE- Në përvjetorin e 22-të të themelimit të Degës së LDK-së në Kamenicë, lideri i kësaj partie, Isa Mustafa ka thënë se nuk do të këtë shtyrje të afatit zgjedhor ashtu siç pretendon partia në pushtet.
Në këtë tubim të simpatizantëve të LDK-së, Mustafa tha se zgjedhjet do të mbahen sipas afatit të paraparë derisa i quajti të kota tendencat e partisë në pushtet për ta shtyrë atë.
Zgjedhjet do të bëhen sipas marrëveshjes së të gjitha partive politike e jo në bazë të asaj që pretendon partia në pushtet, e cila shihet qartë se dëshiron ta zgjasë mandatin e saj qeverisës, ka thënë Mustafa, cituar sot nga Koha Ditore.
Ai shtoi se LDK-ja në hapa të sigurt po rrugëton drejt një fitoreje të madhe duke marrë përgjegjësinë në udhëheqjen e vendit, kur dihet se kjo qeverisje aktuale dita-ditës po shkon drejt fundosjes dhe në këtë mënyrë LDK-ja do tia zërë vendin, duke krijuar një qeverisje të përgjegjshme para qytetarit të saj.