E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: S'ka reciprocitet

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova nuk po e zbaton reciprocitetin me Serbinë, por ai nuk beson se janë shterë të gjitha mundësitë e veprimeve institucionale që zgjidhja të kërkohet në rrugë përmes protestave, siç po vepron Lëvizja Vetëvendosje.

RADIO EVROPA E LIRË: Zoti Mustafa, të dielën pamë një protestë të Lëvizjes Vetëvendosje e cila nuk gëzoi, kushtimisht thënë, mbështetjen e pjesës tjetër të opozitës. Cilat janë arsyet që nuk e keni mbështetur këtë protestë të Vetëvendosjes?

ISA MUSTAFA: Ne vlerësojmë si LDK se të gjitha kërkesat, problemet tona duhet të trajtohen dhe të hapen në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe institucionet e tjera të parapara me Kushtetutë.

Shohim se ka hapësirë e cila nuk është shfrytëzuar mjaftë nga të gjitha subjektet politike opozitare. Mundemi ta bëjmë këtë në mënyrë që ta detyrojmë qeverinë që ajo të kujdeset dhe të jap raport apo edhe t’i ekzekutojë vendimet e Kuvendit të Kosovës.

Ne këtë e kemi theksuar edhe më parë dhe mendojmë se është ende aktuale dhe se ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që shfrytëzojmë dhe shterim të gjitha rrugët institucionale sepse ato janë edhe më të shkurta, më efikase por janë rrugë të cilat i kemi paraparë edhe me Kushtetutë dhe me ligje.

RADIO EVROPA E LIRË: Ju e përmendët se ka edhe mundësi tjera. Cilat konkretisht do të ishin ato?

ISA MUSTAFA: Mendoj që duhet të kërkohet përgjegjësi nga qeveria, nga ministritë përkatëse që ato ta informojnë Kuvendin lidhur me realizimin dhe zbatimin e tregtisë dhe marrëdhënieve ekonomike me Serbinë dhe me vendet tjera.

Duhet të punojmë në Kuvend në mënyrë që të sjellim vendime të Kuvend për ratifikimin e marrëveshjeve të cilat po arrihen në Bruksel, sepse si të tilla ato duhet të jenë transparente jo vetëm për ata që marrin pjesë atje në bisedime, për qeverinë, por edhe për deputetet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ato nuk janë marrëveshje që i takojnë vetëm kësaj periudhe, por të cilat krijojnë obligime edhe për qeveritë e ardhshme dhe parlamentet e ardhshme të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË: Sa konsideroni atëherë që Qeveria e Kosovës po zbaton reciprocitetin me Serbinë?

​​ISA MUSTAFA: Unë jam shprehur se jo. Do të thotë nuk ka reciprocitet. Është çështje se si qeveria e interpreton reciprocitetin dhe si ne e shohim atë. Konsideroj që ne duhet të vëmë ekuivalencë ose barazime me sjelljet e Serbisë sa i përket hyrjes së mallrave tona dhe mjeteve të transportit në Republikën e Serbisë dhe hyrjes së mallrave dhe automjeteve të Serbisë në Kosovë në mënyrë që të aplikojmë masa të njëjta dhe të mos ndërlikohet eksporti i produkteve kosovare ose kalimi i tyre përmes territorit të Serbisë.

Natyrisht ne nuk jemi për bllokada ekonomike për arsye se nuk na shkon në favor që ato t’i zbatojmë ndaj shteteve që i kemi fqinjë apo ndaj shteteve tjera, sepse ne kemi edhe vende tjera që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës por mallrat e tyre futen dhe tregtohen në përmasa shumë të mëdha në Kosovë. Por, unë konsideroj që ne duhet të vëmë reciprocitet të plotë dhe nëse ata aplikojnë një masë, atë duhet ta aplikojmë edhe ne.

RADIO EVROPA E LIRË: Sa po interferon në këtë çështje edhe dialogu Prishtinë – Beograd, marrë parasysh se aty janë arritur disa marrëveshje pikërisht për këto fusha?

ISA MUSTAFA: Dialogu nuk ka qenë gjithmonë transparent, nuk është zhvilluar në bazë të kërkesave dhe opinioneve të cilat opozita i ka shprehur në Kuvend. Ka mbizotëruar vota e pozitës atje, pavarësisht se vota e saj është e pakicës sepse ato nuk shprehin pjesëmarrjen e elektoratit dhe raportit që elektorati e ka në votat në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kjo ka lënë pasoja.

Por, megjithatë vlerësoj se nuk janë këto çështje të cilat ne i shohim se mund të zgjidhen përmes protestave në rrugë, përkundër faktit se është e drejtë e të gjithë qytetarëve, partive, lëvizjeve që ato t’i shprehin në mënyrën e vet pakënaqësitë me këtë lloj të qeverisjes.

Megjithatë mendoj se ka hapësirë që ato t’i bëjmë brenda institucioneve, sikur që mendoj që qeveria t’i korrigjojë sjelljet e saj në mënyrë që bisedat që po zhvillohen me Serbinë të jenë transparente dhe të mos e kushtëzojnë dhënien e informatave për këto biseda dhe dialogun me atë që duhet të gjithë të marrin pjesë, sepse nuk mund ta detyrojnë opozitën që të futet në dialog për interesa të pozitës apo për shkak të kërkesave aktuale apo presioneve ndërkombëtare, sepse ky faktor ndërkombëtar këto po i ndërlidhë edhe me parakandidimin e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE.

RADIO EVROPA E LIRË: Kur jemi te dialogu, presidenti serb Tadiq ka përmendur katër pika të cilat sipas tij, do të mund të diskutoheshin në të ardhmen në kuadër të bisedimeve Prishtinë - Beograd. Aty përfshihet edhe çështja e veriut dhe e zonave përreth manastireve, kishave ortodokse. Keni ju një qëndrim rreth këtij propozimi të zotit Tadiq?

ISA MUSTAFA: Unë jam i bindur që Prishtina është përgjigjur bile përtej mundësive me Pakon e Ahtisaarit, sepse kemi bërë aq lëshime të cilat nuk i ka bërë asnjë vend tjetër sa i përket trajtimit të minoriteteve dhe popujve tjerë krahasuar me atë që kemi bërë ne me Kushtetutën tonë.

Serbia dhe Tadiqi po mundohen këtu që të nxjerrin një përfitim të dyfishtë. Njërin që Pakoja e Ahtisaarit të zbatohet për një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës ku janë komunat tjera me shumicë serbe dhe një pjesë ta ndërtoj mbi këtë Pako.

Do të thotë të jetë një Ahtisaari plus që është totalisht e papranueshme dhe që ne nuk mund të pranojmë të lëvizim nga Pakoja e Ahtisaarit, sepse kjo do të shkaktonte më pas një çrregullim të tërësishëm të organizimit kushtetues dhe territorial të Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›