E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penn dhe Gere promovojnë filmat

Sean Penn është ndalur për t’u fiksuar në disa imazhe në Park City në Utah mbrëmjen e 21 janarit për të promovuar filmin e tij të ri, “This Must Be the Place”.

Aktori Sean Penn interpreton rolin e Chayenne, një ish-yll të muzikës rok, i cili është në moshën 50-vjeçare, ende vishet alla ‘Goth’ style dhe jeton në Dublin, por tanimë pasi ka rënë nga froni i tij i dikurshëm.

Është vdekja e të atit, me të cilin ai thuajse nuk komunikonte, ajo që e ka sjellë atë në New York dhe vetëm aty mësoi që i ati kishte vuajtur tërë jetën nga një obsesion, kërkonte hakmarrje për një poshtërim që dikur kishte pasur në jetë.

Këtu nis edhe odisea e këtij personazhi të interpretuar nga aktori Penn, i cili nis rrugëtimin nëpër Amerikë, pikërisht aty ku i ati u shua për t’i sjellë atij paqen.

Në këtë film interpretojnë gjithashtu edhe Frances McDormand dhe Eve Hewson, vajza e liderit të grupit U2, Bono Vox. Ndërsa regjisor është krijuesi i falshëm italian, Paolo Sorrentino, i cili së bashku me producentët ka vendosur që filmi të nisë të shfaqet në kinema në pranverë të këtij viti.

Vetëm pak larg vendit ku u shfaq Penn, një tjetër aktor, Richard Gere, ka parakaluar në tapetin e kuq të premierës së filmit të tij të fundit, “Arbitrage” në të cilin Gere interpreton rolin e një magnati të dëshpëruar në prag të shitjes së perandorisë së tij tregtare, çka e detyron atë të kthehet në një person që kërkon ndihmë dëshpërimisht.

Në një kohë kur bota gjendet e pushtuar nga kriza ekonomike, ky mendohet të jetë një film i cili do të ndjellë jo pak, pasi në të trajtohet specifikisht pasiguria ekonomike e botës ku jetojmë. Së bashku me aktorin Richard Gere, këtë herë në rolin e magnatit, interpretojnë aktoret Susan Sarandon dhe Tim Roth.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›